Nga Liliana HOXHA

Emri i kryeqytetit tonë është shumë i bukur, ndonëse nga ana morfologjike me një lapsus thjeshtësisht merr kuptimin e mizorisë, që po aq thjeshtësisht merr frymën e gjallesave të veta. Nuk është se ndodhi gjëja më e keqe në Tiranën tonë në rropatje për të ardhmen e premtuar europiane nga ajo kategori njerëzish që vendos fatin e të tjerëve, përkundrazi për ta është veç një spastrim gjoja ekologjik në favor të fasadës europiane të kryeqytetit, që realisht ndryshon me shpejtësi marramendëse, por vetëm në të dyja anët “e xhadesë” për në Europë, premtuar së fundi verbalisht: si udhëtim pa pengesa drejt saj.

Ndaj nën hijen e ndërtesave luksoze “të xhadesë” nuk duhet të struken qentë e rrugëve, sikurse njerëzit endacakë, pa asnjë ndryshim në ekzistencën e tyre jetike: përveçse njeriu nuk mund të vritet së paku dukshëm, ndërsa qentë pa zot nuk e paskan dot këtë luks, të drejtën e frymës.

Ekologjia është shkencë e shkencave, përgjegjëse e përfaqësuese e të gjitha fenomeneve natyrore e humane të mara së bashku, ndaj është interesi i përbotshëm i njerëzimit tashmë i ndërgjegjshëm për dhunimet ambientaliste që ka shkaktuar, prej zhvillimit industrial e sprovave shkencore pa kriter, deri tek ngrohja globale e prishja e shtresës së ozonit. Asnjë gjallesë përveç njeriut nuk mund të prishë ritmin e brendshëm krejtësisht shkencor të organizmit kompleks natyror e human, ekologjisë. Pikërisht për këtë çdo gjallesë është e domosdoshme për ekuilibrin ekologjik.

Europa, që realisht nuk ka qenë asnjëherë një e ardhme e ëndërruar (siç lakohet nga politika jonë, prej interesit të saj, prej turpit të dështimit të vet), fatkeqësisht është një e tashme që nuk vjen dot. Nuk vjen pikërisht prej politikës të fasadës, çka ka rënduar mbi fatet e njerëzve, por edhe të ekologjisë, që për çastin e për gjithmonë kjo e fundit pararend më tepër se politika në përcaktimin e sjelljes qytetare së paku në lidhje me tjetrin, në lidhje me çka e rrethon, me bimët e frymorët që bashkërisht ofrojnë harmoninë e jetesës.

Denoncimi i likuidimit të të ashtuquajturve qenve të rrugës, praktikisht janë thjesht qen pa zot, edhe pse të matrikuluar (certifikuar nëpërmjet vaksinave krejt të shëndetshëm nga Ministria Shëndetësisë përveç se të sterilizuar) probabilisht do të përbënte një ngjarje të mundur si gjithçka e mbrapshtë që ndodh këtu tek ne. Por vërtetimi i këtij fakti nëpërmjet imazhit të filmuar të kthyer në fenomen ritmik shkon përtej rastit konkret, që me evidencën e tij kapërcen preokupimin për nivelin e përgjithshëm kulturor sidomos të rinisë, krahas analfabetizmit, deri në perversitet të përgjithshëm moral, që promovohet çdo ditë si gjëja më e natyrshme në shoqërinë tonë.

Ky mentalitet i kriminalizuar prej politikës së krimit që me çdo mënyrë, me çdo mjet deri për pasojë zbret në ndërgjegjen e individit për të mos i bërë përshtypje për asgjë që ndodh, për të anashkaluar si i pafuqishëm, që ndjehet në këtë shoqëri “demokratikisht” antihumane. Askush nuk mund të harrojë njerëzit e pastrehë e të sëmurë, me pamundësi absolute për të siguruar jetën që ofrojnë emisionet televizive. Natyrisht që duhet falënderuar çdo donator për zgjidhjen e problemit të këtyre njerëzve që i kapi lapsi i fatit, por krahas falënderimit, duhet të na dhëmbë shumë ç’bëhet me të tjerët si këto raste që tashmë përbejnë një shtresë sociale, ajo që ka nevojë për “frymë”, faktikisht për të qenë gjallë.

Padyshim që kjo çështje i takon shtetit me politikat sociale të domosdoshme siç i ka Europa, aty në krye të xhadesë. Ndërsa bashkëjetesa me qentë pa zot të garantuar pa asnjë rrezik për qytetarin nuk i rëndon askujt për asgjë, përkundrazi plotëson realitetin ekologjik jo vetëm të shëndetshëm, por të dashurisë e besnikërisë, siç di sidomos qeni pa zot të dhurojë, kundrejt një biskote e një fjale të ëmbël që vetë qytetarin e bën më të mirë prej ndjeshmërisë humane.

Çfarë profili human demonstrojnë, përveçse na përfaqësojnë ata që kanë nevojë (përjashto injorancën) t’i marrin të drejtën e frymës këtij frymori të klasifikuar zyrtarisht të shëndetshëm e paqësor?! Absolutisht aspak nuk ndryshon nga mentaliteti, ideja deri tek ideologjia diskriminuese nazifashiste të holokaustit me metodat e krematoriumit. Jo më kot Gjermania për sot e të ardhmen mbetet shteti më i emancipuar në botë jo vetëm për shlyerje historike të fajit, por për elegancë integriteti e neutraliteti në politikat globale të Europës.

Personalisht i dua kafshët, kam jetuar me to, fakt ky që më bën më të ndjeshme ndaj rastit. Falënderoj emisionin “Stop” që na vuri në dijeni për këtë masakër mesjetare. Falënderoj prof. Sazan Guri, mikun tim të vjetër për vokacionin, përveçse profesionalizmin si dhe vullnetarët që ndjekin këtë çështje. Jeta më ka mësuar që duhet ta ndjesh ekstremisht fort një çështje të përgjithshme për të bërë qoftë edhe diçka të vogël për të tjerët. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: