TIRANË

Kryebashkiaku Erion Veliaj inauguroi Panairin Vendor të Bujqësisë, që do të mbahet në Tiranë.

Panairi do të mbahet për 3 ditë, ndërsa në të pritet që të tregtohen produkte nga fshatrat e kryeqytetit. Veliaj tha se akti më i madh patriotik është reklama ndaj produkteve vendase.

“Për tri ditë do të keni mundësinë që të blini produktet bujqësore të Tiranës. Në sistemin e kaluar ishte shprehja: ‘Të bëjmë fshatin si qytetin’, kurse sot them të bëjmë qytetin si fshatin. Fshati duhet adhuruar për punën që bën, për faktin se vetëm punojnë dhe nuk flasin më kot. Qendra e kryeqytetit sot është kthyer në një treg, sepse njerëzimi është mbledhur gjithmonë rreth tregut. Vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, tregojmë se për 3 ditë iu shërbejmë atyre që kanë punuar, kanë prodhuar produkte bujqësore. Vërtetë Tirana nuk është vendi kryesor i bujqësisë, por është tregu më i madh.

Tirana është sot 1 milionë banorë. Statistikat e thonë se Bashkia e Tiranës është motori i ekonomisë dhe nuk ka si mos të jetë edhe motori i bujqësisë.  Sot mund të vish nga fshati në Tiranë shumë më lehtë. Ne do të vazhdojmë me përmirësim të infrastrukturës. Ne kemi vendosur që si bashki të hapim treg bujqësie, që të jetë e shtetit e të ketë treg privat dhe shtetëror. Ne po bëjmë një akt patriotik. Akt patriotik sot nuk është që të marrësh pushkën, por të duash vendin. Do iu thosha që të lavdëronit te njëri-tjetri produktet e zonës së Tiranës”, tha Veliaj në fjalën e tij.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb