Klubi i Futbollit i Tiranës ka denoncuar publikisht ndalimin e tifozëve bardheblu në stadiumin e Laçit. Në një deklaratë në facebook, Tirana shprehet se 30 tifozë nuk janë lejuar të hyjnë në stadium, duke shkelur rregulloren, ndërsa e ka quajtur një akt provokativ nga ana e tifozerisë mike dhe policisë.

“Denoncim publik për skandalin në Laç. KF Tirana denoncon publikisht atë që ka ndodhur sot në stadiumin e Laçit. Në mënyrë provokative, tifozët bardheblu nuk janë mirëpritur nga klubi vendas dhe policia. Ndryshe nga sa ishte rënë dakord, në sektorin mik janë lejuar dhe numëruar nga forcat e rendit vetëm 120 tifozë. Dyert janë mbyllur për 30 tifozë të tjerë. Rregullorja së cilës i referohej klubi mik në këtë rast është shkelur. 5 përqind e stadiumit të Laçit është baras me 150 tifozë, në një sektor që ka më tepër hapësirë se kaq dhe është licencuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për tifozerinë mike, për një stadium me kapacitet 3 mijë vendesh”, deklaron Klubi i Tiranës.

Sipas ekipit kryeqytetas, edhe pse KF Tirana ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një zgjidhje për këtë problem të krijuar në mënyrë artificiale, sërish zgjidhja nuk është ofruar. Ndërkaq, Klubi i kërkon FSHF-së të marrë masa për ngjarjen,

“Një incident skandaloz dhe provokativ. Gjithçka është bërë për të prishur atmosferën sportive dhe dëmtuar rezultatin e ndeshjes. KF Tirana kërkon ndjesë tifozëve për çfarë ka ndodhur dhe i kërkon publikisht Federatës Shqiptare të Futbollit të marrë masa për gjithçka ka ndodhur”, deklaron Klubi i Tiranës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: