Nuk janë zgjedhur rastësisht Rraklli, Dabulla dhe Salihi për t’u intervistuar para ndeshjes së sotme të Tiranës kundër Dudelanzhit. Janë të tre ishlojtarë bardheblu që kanë kontribuar me nga një gol për përmbysjen e fundit të Tiranës në Champions. Bëhet fjalë për ndeshjen e vitit 2005, kur kampionët e Shqipërisë kishin humbur ndeshjen e parë 2-0 me Goricën dhe fituan në ndeshjen e kthimit me rezultatin 3-0. Secili rrëfen përjetimet e veta dhe jep këshilla për mënyrën se si duhet të veprojë skuadra e Shehit sot në fushë që të mund ta kalojë turin. Altin Rraklli thotë se lojtarët duhet të jenë të ftohtë, të mos ndikohen nga tifozët dhe të shënojnë sa më shpejt golin e parë pa lënë hapësira pas. “Nëse Tirana arrin të shënojë e para, do të shihni se do ta marrë ajo kontrollin e lojës”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ishsulmuesi i Kombëtares shqiptare. Në fund, ai ka edhe një apel për futbollistët e Kombëtares që luajnë në nivele të larta, por me fanellën kuqezi nuk po shkëlqejnë dot. “Mjaft me egoizmin. Kur është për të pasuar duhet të shërbesh për shokët. Ndryshe nuk fiton dot Shqipëria”, thotë kavajasi.

Tirana ka nesër (sot) një ndeshje të rëndësishme kundër Dudelanzhit, sepse të parën e ka humbur 1-0. Përmbysjen e fundit në Champions e ka kundër Nova Goricës 3-0, ku ju keni shënuar gol… Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?

Atë ndeshje e mbaj mend shumë mirë. E kam shumë të qartë, sepse edhe unë nuk është se kam pasur shumë evenimente në Champions League dhe më kujtohet mirë….(qesh). Në ndeshjen e parë atje, ne kemi zhvilluar një lojë të dobët. Mirëpo, e kuptuam edhe vetë që nuk kishim dhënë më të mirën dhe më pas vendosëm që t’i luajmë të gjitha shanset. Kishim vetëbesim. Kjo është shumë e rëndësishme. Por më vjen pak keq për Tiranën në këtë moment, sepse mendoj se duhej ta kishte shmangur humbjen atje në Luksemburg.

Pse mendoni kështu?

Sepse kam përshtypjen që e nënvlerësuan disi kundërshtarin. Duhet të kishin parasysh se ekipi i Dudelanzhit në 10 vitet e fundit ka bërë progres. Ka shkuar dy herë në fazën e grupeve.

Si mund t’ia dalë Tirana në ndeshjen e nesërme (sotme)?

Nëse Tirana në këtë ndeshjen e kthimit do të mobilizohet, jo 100 për qind, por më shumë se 100 për qind të forcave të veta, pra ta marrë shumë seriozisht ndeshjen, besoj se duhet ta përmbysë. E ka detyrim që ta përmbysë.

Pse e ka detyrim? Edhe të tjerët dinë të luajnë futboll…

Mendoj se do të ishte një goditje shumë e madhe për Tiranën nëse eliminohet në turin e parë të këtij evenimenti. Dudelanzhi është një skuadër që të nxjerr shumë probleme nëse nuk impenjohesh, por ama nëse luan me të gjithë potencialin Tirana, jam i bindur se i mund dhe i kalon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb