Kryeqyteti paraqitet me strukturën më të përkeqësuar të punësimit në vend si në drejtim të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe në normën e papunësisë, teksa shihet se Korça dhe Dibra paraqiten më mirë se qarqet e tjera.

Duke raportuar treguesit e punësimit për tremujorin e tretë 2017, INSTAT gjeti se Tirana dhe Durrësi kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës.

Mosha aktive punës llogaritet 15-64 vjeç, teksa në Tiranë vetëm 64.2 për qind e kësaj grupmoshe janë të aktivizuar në tregun e punës, që do të thotë se janë në punë ose janë në kërkim të punës, pjesa tjetër prej 36 për qind është dekurajuar, në pension të parakohshëm, me mungesë të aftësive fizike ose i angazhuar brenda familjes.

Teksa mesatarja kombëtare e pjesëmarrjes në forcat e punës është 67 % e moshës 15-64 vejc, pjesëmarrje të dobët në tregun punës kanë Durrësi, Tirana dhe Lezha, të cilat janë më ulët se mesatarja kombëtare, ndërsa Elbasani, Fieri dhe Shkodra janë mbi këtë mesatare.

Gjithashtu Tirana dhe Vlora patën normën më të lartë të papunësisë në vend në tremujorin e tretë të vitit. Teksa mesatarja kombëtare e papunësisë arriti në 13.6 për qind, në Tiranë norma e papunësisë nën popullsinë mbi 15 vjeç është 17 për qind niveli më i lartë pas qarkut të Vlorës që ka nivelin e papunësisë në 24.6 për qind.

Ndërsa papunësia më të ulët se mesatarja kanë qarqet e Dibrës dhe Korçës, me respektivisht 6.7 dhe 7.3 për qind.

Në harkun kohor të një viti papunësia është ulur në Tiranë me 2.5 pikë përqindje dhe në Durrës me rreth 3 pikë përqindje.

Ndërsa në qarkun më të varfër të vendit atë të Kukësit, papunësia u rrit më tej rreth 5 pikë përqindje në harkun e një viti. Rritje të papunësisë pati edhe në qarqet e Lezhës, Shkodrës dhe Beratit. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: