Nga: JETON SELIMI*

Komisioni i Disiplinës, me vendimin e së mërkurës, i trazoi jo pak shpirtrat bardheblu. Ai vendosi të ndëshkonte me 6 ndeshje në transfertë tifozët bardheblu, ndëshkim që u shtohet edhe 15 ndeshjeve brenda pa tifozë për ngjarjet në Loro Boriçi”. Në një situatë të tillë ka reaguar klubi i Tiranës, ndërsa ka organizuar një konferencë për shtyp. Trajneri Gugash Magani dhe kapiteni Ervin Bulku kanë shprehur kundërshtinë e tyre me masën e dhënë nga disiplinori i FSHF-së, ndërsa edhe njëherë kanë shprehur se ky ishte një ndëshkim kolektiv, ndërsa tifozët që shkaktuan probleme ishin të izoluar, pavarësisht se Magani këmbëngul se nuk ishin tifozët e Tiranës ata që nisën sherrin në stadium. “Tani u mësuam me dënimet, por ky është një vendim absurd pasi realisht tifozët tanë nuk bënë asgjë. Tifozët janë adrenalina jonë dhe ky nuk më duket vendim normal”, u shpreh Magani. Ndërsa kapiteni Ervin Bulku thotë se në stadium ka kamera sigurie, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e tifozëve problematikë. “Vendim që nuk e prisnim. E vuajmë mungesën e tyre. Ata janë të mrekullueshëm, por 5 veta nuk përfaqësojnë të gjithë tifozërinë e Tiranës. Ky është stadium modern me kamera dhe duhen marrë dënime individuale në bazë të filmimeve, nuk mund të penalizohet një qytet i tërë”.

Aktualisht Tirana mban vendin e parë në kampionat, ndërsa ndeshjet pa tifozë do të zgjasin deri në muajin mars. Kjo situatë natyrisht që e bën më të vështirë kampionatin e 24 herë kampionëve, ndërsa Magani e Bulku hamendësojnë se mund të ketë edhe skenarë kundër tyre. “Skenarët mund të jenë në termin sportiv, por nuk kam fakte që të flas. Dua të them që na kanë prerë njërin krah, por do të jemi më të fortë”, do të deklaronte trajneri Gugash Magani, ndërsa Ervin Bulku do të shtonte: “Është e kotë të flasim nëse bëhet fjalë për sulm ndaj skuadrës. Ne do bëjmë maksimumin për të ruajtur vendin e parë”. Magani ka qenë trajner i Flamurtarit në ndeshjen e fundit të sezonit 2010-2011 të luajtur në Vlorë ndaj Skënderbeut, ku pothuajse e tërë tribuna kryesore e stadiumit u shkatërrua për t’u goditur ekipi mik. Kur i kujton këtë fakt trajnerit peqinas dhe nëse sheh dy standarde në vendimmarrje nga Komisioni i Disiplinës, atëherë përgjigja është e thjeshtë. “Në këtë rast ka dy standarde”, përfundoi trajneri i bardhebluve. Në ndeshjen e radhës Tirana do të presë Laçin në “Qemal Stafa”, ndërsa më pas do të luajë edhe derbin e madh të vendit me Partizanin pa praninë e tifozëve të saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb