Tirana vjen me moral të lartë në derbi ndaj Partizanit. Tri fitore dhe dy barazime në 5 javë mbajnë ekipin e Orges Shehit në krye të renditjes, pa harruar faktin se kanë mposhtur dy rivalë direktë së fundmi Laçin dhe Teutën kampione.

Por në kampin bardheblu janë të vetëdijshëm se derbi ka të papritura dhe si presidenti, ashtu edhe trajneri po punojnë që futbollistët të qëndrojnë me këmbë në tokë, duke lënë pas gjithçka që ka ndodhur deri tani. Tirana nuk fitoi asnjë nga 4 derbet e sezonit të kaluar dhe presioni nga tifozët është në rritje.

Por bardheblutë kërkojnë fitoren edhe për një fakt tjetër. Duke e mposhtur Partizanin në këtë moment të kampionatit jo vetëm do të rrisnin kreditet për t’u shpallur kampionë, por thuajse do të nxirrnin nga gara për titull një nga rivalët më të fortë, edhe pse sezoni nuk mbaron me një derbi.

Gjendja e lojtarëve te Tirana është e mirë. Edhe Covid-19 kaloi dhe nuk ka probleme me virusin, ndërsa Seferi dhe Ngoo priten të jenë të gatshëm nga minuta e parë të hënën e ardhshme.

Trajneri Shehi e di mirë që derbi nuk ka favorit dhe po përgatit skuadrën edhe nga ana psikologjike, sidomos tek ata lojtarë që nuk e kanë provuar të luajnë një ndeshje derbi. Shpresohet që deri të hënën të mos ketë ndonjë dëmtim, që t’i prishte punë trajnerit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb