Në debatin mbi derbin e kryeqytetit në studion e “Sport News Plus” në News 24, emisioni më i ri sportiv që moderohet nga Daljana Sejdia, kryeredaktori i Panorama Sport, Jetmir Halilaj, ngre pikëpyetjen se pse Tirana dhe Partizani, dy ekipet më të mëdha shqiptare, nuk arrijnë të “dobësojnë” klubin e Skënderbeut, në një periudhë të vështirë, duke mos i marrë ndonjë lojtar.

Nga ana tjetër, trajneri i të rinjve tek Partizani, Klevis Dalipi, shprehet se pavarësisht emrit të madh, Tirana e Partizani nuk mund të blejnë lojtarë me shuma të çmendura financiare.

Jetmir Halilaj: Pse dy klubet më të mëdha në Shqipëri, Tirana e Partizani, në momentin më të vështirë të Skënderbeut, ku korçarëve i ikën 8 lojtarë, ata nuk arritën t’i merrnin asnjë lojtar, për të forcuar ekipin e tyre, dhe për të dobësuar kundërshtarin.

Klevis Dalipi: Tirana dhe Partizani nuk janë ekipe për ankand. Disa lojtarë mund të jenë shumë të mirë, por duhet të kenë edhe ata dëshirë për t’u afruar te një klub. Buxhetet e këtyre klubeve nuk i lejojnë që të bëjnë shpenzime të mëdha. Partizani besoj se ka bërë mirë, duke ruajtur lojtarët që premtojnë shumë. Klubi i ka dhënë besim e durim edhe trajnerit.

Jetmir Halilaj: A është ky një pakt i heshtur me federatën, që të mos ketë më “luftë” verbale apo mediatike? A i bën mirë Partizanit kjo heshtje? Nëse nuk e ngre zërin një klub si Partizani, nuk mund të presim nga klube të tjera.

Klevis Dalipi: Ka qenë një detaj në ndeshjen kundër Laçit, edhe ajo kaloi. Gjithsesi, ky ishte vetëm derbi i parë, dhe rëndësia nuk ishte aq e madhe. Jam dakord që duhej një siguri më e mirë ndoshta brenda në stadium.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb