Tirana-Laçi nuk është vetëm një duel për kreun. Është më shumë se kaq, është dueli për titullin kampion, por nga ana tjetër edhe dueli i artilerisë së rëndë. Bëhet fjalë për Taulant Seferin dhe Saliu Guindon.

I pari, sulmuesi kryesor i Tiranës, ndërsa tjetri i Laçit. Të dy lojtarët kanë pa fund të përbashkëta në këtë kampionat. Si njëri dhe tjetri kanë shënuar nga 11 gola.

Janë dy mbretërit e golave dhe që do të luftojnë deri në fund për “Këpucën e Artë”. Më poshtë do të rendisim të veçantat dhe të përbashkëtat e lojtarëve që shënojnë më shumë në Superiore.

GOLAT – Në 11 golat e shënuar, dyshja ka disa të veçanta. Kështu, Seferi ka shënuar vetëm një herë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Guindo ka gjuajtur tri herë. Sulmuesi i Laçit ka shënuar pesë herë golin e parë të një ndeshjeje, ndërsa ai i Tiranës në shtatë takime.

MOSHA – E ngjashmja e tyre është mosha. Të dy janë në këtë moment 25-vjeçarë. Seferi ka luajtur në 15 nëntor të 1996-ës, ndërsa Guindo në 12 shtator të të njëjtit viti.

GJATËSIA – Sulmuesi i Tiranës është 4 centimetra më i gjatë se Guindo. Të dy sulmuesit luajnë në qendër të repartit të avancuar, duke treguar si forcën e tyre fizike dhe teknike.

KËMBA – Do të ishte e veçantë nëse njëri të luante me të djathtën e tjetri me të majtën. Gjithsesi, të dy janë lojtarë që gjuajnë me të djathtën ose ndryshe, lojtarë të rregullt. Një ngjashmëri për dyshen që kryeson golashënuesit.

ASISTET – Taulant Seferi shkëlqen edhe tek asistet. Sulmuesi i Tiranës ka dyfishin e asisteve që ka Guindo. Në total, Seferi ka dhënë gjashtë asiste, ndërsa malezi vetëm tre. Edhe te kartonët e verdhë Seferi ka dominimin 4-1.

Sulmuesi i kurbinasve ka më shumë minuta dhe ndeshje se Seferi, ndonëse të dy kanë luajtur në Europë. Guindo ka tri ndeshje më shumë këtë sezon si dhe 7 minuta epërsi në lojë.

Të dy janë potentë, luajnë mirë si me këmbë dhe kokë dhe gjatë gjithë kohës kanë bërë diferencën në fushë. Nga ata shpresojnë shumë dy skuadrat në përballjen e sotme mes Tiranës dhe Laçit. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb