Me 37 pikë në 20 javë, Tirana qëndron e qetë në krye, plus 6 pikë në raport me Partizanit, por të kuqtë, për momentin nuk shihen si rivali i tyre në garën për titull, fundja këtë e thotë edhe vetë trajneri i të kuqve. Është e vështirë që bardhebluve t’i gjesh një rival të denjë në këtë garë, mbase Erzeni, në shifra janë ata ndjekësit më të afërt.

Ekipi i Shehit në numra është pa diskutim ekipi më i mirë, kanë sulmin më të mirë me 33 gola dhe mbrojtjen më të mirë me 15 gola, por mbi të gjitha kanë një mentalitet fituesi, nuk dorëzohen kurrë, e tillë ishte dhe sfida me Egnatian, në fund arrijnë gjithnjë të marrin atë që kërkojnë.

Prova e radhës, mbase më e vështira është transferta përballë Vllaznisë, një rival që në letër dhe për nga cilësia mund të rivalizojë kryeqytetasit, fundja në dy përballjet sezonale shkodranët kanë arritur t’i marrin 4 pikë.

Në këtë përballje trajneri Shehi duhet të bëjë llogaritë pa Aleksin dhe Kristal Abazaj, por në asnjë moment Shehi nuk është ankuar për mungesat apo për ndryshimet e shumta që grupi ka pësuar këtë periudhë.
(BalkanWeb)