Tirana-Vllaznia do të jetë padyshim një prej sfidave kryesore e më të shumëpritura të javës së 29 të kategorisë superiore. Një klasike e vërtetë e futbollit shqiptar, që do të jetë shumë e luftuar pavarësisht se si klasifikohen të dyja skuadrat në renditje. Gjë të cilën e di fare mirë tekniku i kuqebluve, Thomas Brdariç, që një ditë para sfidës që Vllaznia do të luaj ndaj bardhebluve, vlerëson maksimalisht kundërshtarin, duke theksuar se ekipin e tij e pret një betejë e fortë, të martën në “Elbasan Arena”.

“Do të jetë një ndeshje e madhe. Është një derbi. Duhet të jemi gati për t’u përballuar me Tiranë. Ndeshja do të jetë mjaft e vështirë. Këtë sezon kemi bërë mirë ndaj Tiranës, por të martën na pret një tjetër sfidë. Duhet të jemi të balancuar në fushë.Tirana ka treguar stabilitet në ndeshjet e fundit, sidmos pas rikthimit të Shkëmbit në krye të skuadrës”.

Pavarësisht koeficientit të vështirësi, tekniku i shkodranëve thekson se objektivi kryesor i të tijëve do të jetë të marrë maksimumin nga kjo përballje:

“Ne i përgatisim ndeshjet gjithmonë për fitore. Pavarësisht gjendjes së skuadrës kundërshtare, ekipi ynë do të hyjë në fushë vetëm për të marrë maksimumin. Duhet të kontrollojmë lojën e të dominojmë mbi kundërshtarin. Në 8 ndeshjet e mbetura duhet të shfaqim uri për të shfaqur maksimumin në fushë e të shpërblejmë edhe besimin që na ofron publiku në çdo ndeshje”.

Sfida Tirana-Vllaznia do të luhet ditën e martë në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 16:30.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: