Autoriteti i Dosjeve ka çelur pranë Pallatit të Kongreseve një ekspozitë me materiale dokumentare që tregojnë persekutimin dhe dënimin e familjeve të mëdha të Tiranës, por edhe qytetarëve të thjeshtë. Pos ekspozitës u prezantua një projekt studimor për Tiranën nën regjim.

Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, tha se dokumenti i sigurimit është informacion, por shpesh jo fakt.
“Ndaj është detyrë e rëndësishme e studiuesve e ekspertëve. Ne jemi sot bashkë sepse është një histori lokale që pa integruar traumën e vet që ka kaluar e ka të vështirë të tregojë historinë e vet”, tha Sula.

Duke permendur raportin e Bashkimit Europian për të Zhdukurit që ishte tejet kritik ndaj qeverisë, deputetja e majtë Klotilda Bushka njoftoi ndryshime ligjore.
“Ne kemi miratuar disa ndryshime që kanë zgjeruar veprimtarinë e institucionit për punën me gjetjen e të zhdukurve të komunizmit. Vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta janë vende që duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti”, tha Bushka.

Duke kritikuar mungesën e shënjimeve të kujtesës në qytet, drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi foli për projektin studimor për komunizmin në Tiranë.
“Trajtimet të tilla meritojnë një sjellje shumë institucionale e afatgjatë që të jetë burime të qëndrueshme, ndaj ne nuk duhet të shohim vetëm individët por edhe ngjarjet e dallimet me vendet komuniste”, tha Afrim Krasniqi.

“Ne kemi debatuar gjatë, sepse Tirana u zhvillua, por me një kosto, që ishte stigmatizimi i banorëve të Tiranës”, tha historiania Sonila Boçi.
Ekspozita u vizitua nga kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb