Problemi tek Tirana vazhdon të mbetet i njëjtë: Ilir Daja nuk e ka gjetur ende kurën për të shëruar shterpësinë në sulm. Kryeqytetasit ndalen në një tjetër barazim, një tjetër barazim pa gola, këtë herë në transfertë përballë Laçit.

Kurbinasit jo vetëm që nuk u thyen por ky rezultat nuk i kënaq aspak në një kohë kur ishin ata skuadra më e mirë në fushë. Bardhezinjtë edhe pse me ekip totalisht të ndryshuar në emra, mbeten me filozofi të njëjtë, një skuadër e mirë organizuar, një “kockë” e fortë për çdo kundërshtar.

Transferta e Tiranës për pak nisi me një dhuratë të Iljon Likës, portieri bardheblu gabon në dalje, Kastrati ishte thjesht i pafat teksa topi i kthyer me kokë nuk përfundoi në kuadratin e boshatisur. Reshjet e shiut vazhdojnë të jenë një pengesë për tifozët, stadiumi i hapur i detyroi të largohen përpara kohe.

Në pamundësi për t’iu afruar kuadratit, Tirana provoi me goditje nga distanca, si në minutën e 22-të. Miqtë spostuan lojën në krahun e majtë, Taku hodhi në zonë një kros perfekt për Ansi Nikën i cili me kokë nuk arriti të ulte topin në kuadrat.

Kryeqytetasit provuan sërish në minutën e 33-të me një goditje nga distanca. Vucaj kërkoi të surprizonte portierin Selmani me një goditje të befasishme por gardiani i Laçit kontrolloi pa shumë vështirësi.

Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Daja ndërhyri në formacion, duke hedhur në fushë Dajën për Ansi Nikën por ishin laçianët ata që fituan më shumë metra në mesfushë madje ishin kërcënues edhe në dy momente në minutën e 57-të, por Lika ishte me fat në një kohë kur askush nuk arriti të devijojë në kuadratin e tij.

Dy minuta më pas ishte Selmani që bëri mrekullinë duke devijuar në goditje këndi një kthesë të bukur të Vucajt. Laçi luan thjesht dhe saktë! Zbresin në sulm me një takim, kombinime të bukura ndërmjet tyre, me Toskin që finalizoi por pa i dhënë forcën e duhur topit. Fati nuk ishte me Drilon Musajn dhe Laçin në minutën e 75-të teksa Iljon Lika zgjatej duke devijuar në goditje këndi një gol thuajse të sigurt.

Lika u kthye në hero në minutën e 85-të teksa ndali mrekullisht Bruno Akinjon nga shumë pranë, një ndërhyrje që kishte peshën e një goli. Në një kohë kur tek Tirana njeriu i ndeshjes ishte portieri Lika problemet mbetet të njëjta, por ajo që shqetëson tashmë është tabela e klasifikimit, 2 dy pike-në dy ndeshje dhe asnjë gol i shënuar.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: