Katër takimet e para të Kategorisë Superiore kanë sjellë një lumë golash dhe rezultatet e pritura. Tirana vijon dominimin e saj dhe e vazhdon kampionatin aty ku e la, te fitorja. Kësaj radhe, “viktima” e bardhebluve është Bylisi, që thyhet 3-1 në “Adush Muça”.

Kryeqytetasit kalojnë në epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë me Kobina dhe penalltinë e shndërruar në gol nga Batha. Mallakastriotët përpiqen të reagojnë dhe ngushtojë shifrat me Peposhin në pjesën e dytë, por vetëm kaq pasi kapiteni Muça lë shenjën e tij në këtë takim me golin e tretë dhe të fundit.

Kukësi i vendit të dytë ka vuajtur shumë ndaj Luftëtarit, teksa i është falur një goli në frymën e fundit të Kristal Abazajt. U mendua një fitore e lehtë për verilindorët, sidomos pasi Gavaj realizoi që në minutën e 8-të, por në të 67-ën Mehmetllari do barazojë shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. Kukësi shtyn që të shënojë dhe do e bëjë vetëm në të 94-ën, me Kristal Abazajn, gol që ruan distancën prej 9 pikësh me Tiranën.

Barazim 1-1 në Kurbin, me Laçin dhe Teutën që kanë realizuar që në fraksionin e parë për të ndarë nga një pikë. Kallaku nga 11-metrat do kalojë në epërsi bregdetarët, por në minutat shtesë të pjesës së parë Redon Xhixha do vendosë barazpeshën.

Ndeshje me shumë gola dhe në Vlorë, ku Vllaznia ka “mbytur” edhe më tej Flamurtarin e vendit të fundit. Kuqezinjtë u dorëzuan 3-1 në shtëpi përballë shkodranëve, që kryesuan 3-0 përpara se Oliviera të shënonte golin e vetëm për vlonjatët.

Renditja pas javës së 27-të do të vijojë të kryesohet nga Tirana, tashmë në kuotën e 56-të pikëve, ndërsa Kukësi do të jetë i dyti me 47. Verilindorët shkëputen nga dyshja Teuta-Laçi, që ndjekin me 42 dhe 41 pikë. Fundi i tabelës sheh të “abonuar”, Luftëtarin dhe Flamurtarin.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb