Tirana udhëton në transfertën e Laçit në sfidën e javës së 31-të, me të cilën do t’i mjaftoi vetëm një barazim për t’u shpallur matematikisht kampion. Në konferencën për shtyp përpara takimit, tekniku bardheblu, Orges Shehi, dha opinionin e tij për këtë takim dhe kërkoi që skuadra të japë më të mirën dhe për të harruar disfatën e javës së kaluar përballë Kastriotit.

Momenti për ta mbyllur kampionatin? – Po i afrohemi fundit dhe nga matematika çdo ndeshje ka rëndësinë e vetë. Kishte rëndësi dhe një javë më përpara. Kur kalojnë javët dhe matematika fillon e zvogëlohet atëherë bëhet më e rëndësishme. Është një ndeshje përballë një kundërshtari të fortë. E kemi përballë vendit të dytë në kampionat. Duhet ta vlerësojmë momentin.

Si është përgatitur skuadra? – Skuadra është stërvitur mirë. Kemi lënë pas atë ndeshje jo të mirë nga ana jonë dhe përqendrimi ka qenë maksimal për sfidën që vjen. Java nuk ka qenë e plotë sepse luajtëm të dielën dhe do të luajmë të premten. Ditët e para kanë qenë më shumë riaftësim.

3 ndeshje në 8 ditë? – Mendoj që çdo periudhë të kampionatit ka ndonjë ngjeshje. Mendoj se nuk është shumë problematike, sepse çdo skuadër ka në gjirin e saj lojtarë për të bërë një rotacion ose për të rikuperuar energjitë. Le të fokusohemi te kjo e nesërmja dhe pastaj ka kohë për në mes javë dhe në fundjavë.

Presion? – Nuk mendoj se ka presion. Presioni i futbollit është i vazhdueshëm dhe prezent për ndeshjen e radhës, për elementët që janë në fushë dhe për interpretimin e ndeshjes, sepse kërkojmë të bëjmë gjithmonë më të mirën. Do të futemi në fushë për të marrë pikët që na duhen. Unë mendoj që dhe situatat më të vështira nuk kemi pasur më shumë presion.

Laçi vjet iu la pa Europë? – Mendoj se vjet shkuam afër. Kishte shumë skuadra që po luanin. Na ra që të luanim një finale me Laçin në “Air Albania” dhe e humbën për një autogol. Por kampionati i kaluar është diçka tjetër, është panoramë tjetër. Ky vit është tjetër gjë, për performancën dhe vazhdimësinë. Ne do të shkojmë të bëjmë më të mirën tonë dhe për të harruar ndeshjen para një jave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb