17 maji, dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë u kujtua simbolikisht ne sheshin “Nënë Tereza” dhe në sheshin “Skënderbej” me shpalosjen e flamurit shumëngjyrësh. Duke iu referuar një raporti të publikuar nga ambasada Pink, Altin Hazizaj tha Shqipëria ende vazhdon të privojë nga gëzimi i të drejtave të barabarta, të dhunojë, urrejë dhe harrojë tërësisht personat LGBTI.

“Masat shtetërore vazhdojnë të jenë të pakta, pavarësisht 10 viteve, hiq Tiranën që është më e rehatshme të jesh gay, lezbike, biseks dhe transgjinor, pjesa jashtë Tiranës vazhdojnë të jenë qendra ku ka diskriminim. Qeveria shqiptare pavarësisht masave që ka marrë vazhdon të jetë shumë-shumë larg simotrave në Europë”, tha Altin Hazizaj

Xheni Karaj, drejtuese e organizatës Aleanca LGBT në Tiranë, u shpreh se sot familjet LGBTI nuk gëzojnë njohje ligjore dhe garanci juridike ndërsa komuniteti ende eshte viktime e formave me ekstreme të distancimit social

“Çiftet gay dhe lezbike, ende nuk mund të kurorëzojnë dashurinë e tyre. Sot, qindra vajza dhe djem transgjinorë mbeten peng i ligjeve diskriminuese, të cilat nuk njohin ekzistencën e tyre në shoqëri, ndërkohë që dhuna e frika për t’u përballur me braktisjen nga ana e familjes, të afërmeve dhe institucioneve është konstante për komunitetin tonë”, tha Xheni Karaj, drejtuese e organizatës Aleanca LGBT.

Karaj u shpreh se qëllimi i organizimit simbolik është për të promovuar diversitetin, barazinë dhe dashurinë.
Në aktivitetin e organizuar u shfaq edhe studenti i inxhinierisë me një pankartë në duar ku shkruante “Kthehu nga mëkati, vetëm Zoti të do”, i vetmi zë kundër në sheshin “Nënë Tereza”

“Shikoj më shumë ambasadorë, kanë marrë të huaj sesa vetë shqiptarë. Unë mendoj se Shqipëria kurrë nuk do jetë LGBT dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë lloj fryme”,-tha studenti i inxhinierisë elektoronike Boris Alibeja.
Mësohet se Parada e krenarisë do te mbahet ne muajin tetor, pasi grumbullimet ende nuk lejohen për shkak të Covid-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: