Nga: JETON SELIMI

Tirana do ta ketë gati “shtëpinë” e re më 15 shkurt. Të paktën kjo është ajo që deklaroi në konferencën e djeshme për shtyp administratori Refik Halili, që është edhe aksioneri kryesor i 24 herë kampionëve të vendit. Kështu, pritet që “Selman Stërmasi” të mos jetë më një stadium i rrënuar në zemër të kryeqytetit, por një impiant multifunksional dhe tërësisht i rikonstruktuar, falë investimit të klubit të Tiranës, por edhe me shpresën e bashkëpunimit të federatës dhe bashkisë, që ka menduar t’i rikthejë strukturës funksionalitetin e një impianti që kishte filluar të shikonte sesi po zhyteshin shkallët në tokë. Në një konferencë për shtyp, Refik Halili shpalosi projektin e tij për “Selman Stërmasin”, duke pranuar se falë një investimi të mirëmenduar shumë shpejt stadiumi do të jetë gati për t’u shfrytëzuar nga ana e ekipit bardheblu. “Brenda një periudhe shumë të shkurtër, deri më 15 ose 20 shkurt, do të jetë gati tapeti i ri i stadiumit ‘Selman Stërmasi’, ndërsa do të punohet dhe për rikonstruksionin e pjesës tjetër të impiantit, që do t’u ofrojë tifozëve një stadium sipas të gjitha normave të kërkuara, por gjithashtu do të jetë dhe impianti ku skuadra jonë Tirana do të luajë ndeshjet e saj. Ne po punojmë me intensitet për realizimin e këtij projekti dhe jemi besimplotë se do të arrijmë ta ndryshojmë tërësisht imazhin e këtij impianti të harruar prej vitesh”, – është shprehur aksioneri i bardhebluve. Halili tha se do të kërkojë dhe bashkëpunimin e FSHF-së dhe bashkisë së kryeqytetit për këtë investim, por pranoi gjithashtu se ka gati një plan B nëse nuk merr përgjigje pozitive nga dy institucionet. Projekti i stadiumit të ri është i detajuar. Sipas asaj që pretendon Halili, “Selman Stërmasi” do të ketë një fytyrë të re. Duke qenë se koha në dispozicion nuk premton, Halili ka menduar që të mbyllë sektorin pas porte me anë të reklamave, ndërsa ka ndër mend që të rrisë kapacitetin e tribunës përkarshi. Kjo pritet ta bëjë stadiumin më të ngrohtë, ndërsa tapeti i ri do t’i japë fushës pamjen që i ka munguar prej gati dy dekadash. Po ashtu, do të punohet fort dhe për krijimin e një “shtëpie” moderne edhe për vetë klubin e Tiranës, aty ku gjendet fusha stërvitore “Skënder Halili”. “Faza e parë e ndërtimit pritet të përfundojë për çështje ditësh, ndërkohë që do të vijojmë më pas me fazën e dytë, që është ndërtimi i një godine për klubin, e cila do të përfshijë një palestër force për ekipin e parë dhe ekipet e moshave, një fushë basketbolli, një lavanderi, një mensë dhe gjithashtu struktura të shumta për skuadrën. Por për të filluar me fazën e dytë duhet të miratohet projekti dhe nga ana e Bashkisë së Tiranës. Besoj se deri në maj do të kemi arritur të mbyllim gjithçka me sukses.” Bardheblutë kanë filluar të punojnë për të ardhmen, ndërsa fokusin kryesor e kanë ambientet e rëndësisë së parë, siç është stadiumi dhe kompleksi i stërvitjes. Deri më sot, Tirana nuk e ka shfrytëzuar aspak stadiumin e saj, duke i luajtur përballjet në “Qemal Stafa”, me “Selman Stërmasin” të lënë në mëshirë të fatit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: