Politikat e brendshme të vendeve të vogla si Shqipëria, përmbyten me një tështitje të gjeopolitikës botërore. Kështu ndodhi edhe kësaj rradhe.
Pas “tërmetit26nëntor2019”, pas funeraleve të përlotura dhe gërdhmadhave urbane dhe njerëzore, që do të harrohen dita-ditës, kryeministri dukshëm u forcua, ndërsa Opozita shkoi me pushime të gjata dimërore. Ndoshta në ski e ndoshta në masazhe antigrip dhe antidhimbje kockash, askush nuk e di, si dhe pse!
Pastaj erdhi vrasja e telekomanduar e gjeneral Sulejmanit dhe situata e një Lufte të Re, që e fut automatikisht Shqipërinë në një paralele reale dhe absurde njëherësh me SHBA, Aleatin tonë të madh, me “A”, të madhe.
Ndoshta Trump, urdhëroi eleminimin e Sulejmanit, sepse donte të eleminonte, retë e zeza, të procedurës së impeachment (lexo shkarkimit të presidentit), që do shpërthenin e po shpërthejnë në një stuhi antiTrump në Capitol Hill apo Congress house.
Ndoshta gjeneral Sulejmani, duhet të vdiste pikërisht me 2 Janar, në fillim të vitit 2020, përpara se të ngrohej puna edhe njëherë në Kongresin Amerikan dhe në Senat, për impeachment.
Por, sipas presidentit Trump dhe jo vetëm, Sulejmani u vra, qoftë edhe më 2 Janar 2020, sepse ishte vërtet një “monstër” antiamerikane, që e kishte mbushur kupën!
Porse çasti i zgjedhur, nuk ishte sigurisht i rastësishëm dhe fare pa lidhje me politikën e brendshme amerikane, sepse kur Amerika hyn në një luftë ndërkombëtare, rregulli është, që lufta e brendëshme politike për më shumë demokraci dhe transparencë, duhet të pushojë, derisa të pushojë Lufta për “interesat e sigurisë amerikane”.
Këto gjëra amerikanët dinë ti zgjidhin përpikmërisht vetë.
Nëse edhe kryeministri ynë, ishte në një “hall” të ngjashëm, e pra, sipas deklarimeve opozitare, në prag të ndeshjeve të reja të “stuhishme” politike, rritja e temperaturës ndërkombëtare me luftën SHBA-Iran, ul automatikisht, temperaturën e brendshme politike shqiptare.
Sepse edhe Shqipëria e vogël dhe hallepasosura, është e rreshtuar në një Aleancë të Madhe ndërkombëtare, aq më tepër me mijëra opozitarët iranianë, që strehon në truallin e saj.
Fat i madh pra, për grabitqarët rrotull Ramës, që të shqyejnë edhe ca qindra miliona euro të tjera, në tendera, më gërryerje gjithfarësh, këçëkëizëm e leje ndërtimi!
Ndërkohë që merren mediatikisht, me “Luftën e Madhe” botërore dhe pjesmarrjen në këtë Aleancë! Të na mbrojë Zoti si i thonë, Olta Xhaçkën, ministren tonë të Mbrojtjes, e që kështu, Olta të na mbrojë Shqipërinë, në vend që të drejtojë ndonjë sallon bukurie, si vajzë e mirë që është…
Por mjekrroshi i Gjatë, do shfaqet shpejt e sypatrembur, n’mes uniformave të jeshilta shqiptare dhe jo vetëm, dhe do na flasë në mënyrë të “hekurt”, edhe si strateg fshati, pasi na bindi si “reformator”, si antitërmet, si antikëçëkëist, si gallataxhi, e më the e të thashë…
Si thotë një shprehje e bukur shqiptare: “O Zot, m’jep men sa të lidh ushkurët e benevrekëve, të tjerat o Zot, m’i jep Fat!”
Dhe duket se ashtu u bë në Shqipni!
Ushkurët lidhen, paret vidhen, Fati vazhdon…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb