Nga: ERJOLA JATA*
TIRANE – Skamja dhe mungesa e energjisë elektrike në këto ditë të ftohta janë mysafirët e paftuar në 8 godinat e banuara nga familjarë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ata janë të vetëdijshëm për mospagesën e faturave të energjisë prej vitesh. Të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike, ata drejtojnë sytë nga shteti për ndihmë.
“S’ka energji elektrike, na kanë lënë kështu të varfër. nuk ka paguar asnjëri këtu. Çfarë të paguaj unë me pension. Të na ndihmojnë.”- deklaron një banore.
Nga ana tjetër, jashtë këtyre godinave ditën e sotme banorët kanë protestuar ndaj Operatorit të Sistemit të Energjisë Elektrike. Ata kërkojnë matësa individual dhe jo kolektiv. “I bie të paguajmë nga 112 mijë lekë për familje.”- thonë banorët.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i OSHEE-së. Në një njoftim për shtyp sqarohet se debia që 537 familjet i kanë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga 1 janari 2014 e në vazhdim, është 142 milionë lekë të reja. Në këto kushte, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, është i detyruar në respektim të ligjit të bëjë ndërprerjen e energjisë elektrike deri në shlyerjen e detyrimeve. OSHEE kërkon nga banoret respektimin e marrëveshjes me Universitetin Bujqësore duke paguar detyrimet e tyre.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb