TIRANE-Këngëtarja shqiptarja me famë botërore Dua Lipa do të japë një koncert në 10 gusht në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Lajmin e bën të ditur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një postim në rrjetin social Facebook.
“Sa bukur! Do mbyllim vitin tonë të parë në Bashki me Dua Lipa në Tiranë. Shihemi të gjithë në 10 Gusht tek Sheshi Nënë Tereza”, shkruan Veliaj.

Këngëtarja Dua Lipa në 9 gusht do të japë një koncert bamirësie në Parkun e Gërmisë në komunën e Prishtinës.

Në rrjetin e saj social Facebook, Dua Lipa ka shpërndarë vetë posterin e koncertit duke u shprehur se po pret me padurim dy koncertet që do të mbajë në Tiranë e Prishtinë.

“Me kënaqësi ju informoj se ndërkohë që do të jem në vendlindje për të interpretuar në Prishtinë do të mbaj një koncert edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën në datën 10 gusht. Jam gati, shpresoj të jeni dhe ju. Shihemi së shpejti në Tiranë”, shkruan Dua Lipa.

Koncerti do të jetë i hapur dhe falas për të gjithë qytetarët në 10 Gusht në sheshin “Nënë Tereza”.

Dua Lipa ka lindur në Londër në vitin 1995. Familja e saj emigroi në Angli në fillim të viteve ’90, për shkak të dhunës dhe represionit që pushtoi vendin e tyre. Kur ishte 11 vjeç, Dua transferohet në Prishtinë, deri në moshën 15-vjeçare, kur vendos të rikthehet në Londër për të ndjekur pasionin e saj për muzikën.

Si gjithë adoleshentët në perëndim, ajo punoi fort për të përballuar shpenzimet personale. Për shkak të punës si mikpritëse në dyert e klubebve të natës, Dua Lipa u frymëzua nga ajo çka shihte, për ta hedhur në tekstet e këngëve të saj. “Dramat, ana e errët e jetës së natës, u bënë temat për të cilat doja të shprehesha”, thotë 19-vjeçarja.

Frymëzimi më i madh i këngëtares së re ishte babai i saj, Dukagjini, i njohur në Kosovë me bandën e tij të muzikës rock, ODA. Dua Lipa punoi për këngën e saj të parë “Neë Love” me Andrew Wyatt dhe Emile Hayne, producentë që kanë bashkëpunuar edhe me Lana Del Rey.

‘Single’i i dytë “Be the One” është një rrëfim i këngëtares për veten. “Për mua ‘Be The One’ ka të bëjë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe luftën për atë çfarë do. Kjo është ajo çka unë dua të bëj në jetën time dhe mënyra se si dua të prezantohem”, është shprehur artistja e re në një intervistë për revistën e njohur NYLON.

“BBC”, rrjeti mediatik i famshëm e me influencë në publik, e ka vendosur këngëtaren e re në listën e atyre artistëve që i quan, “Sound of 2016. Zëri me ngjyrë të errët, i ngjashëm me legjendat e muzikës soul dhe jazz, i ka dhuruar adoleshentes me pamjen engjëllore, atributet e një ylli të vërtetë që pritet të shkëlqejë në botën muzikore.
(d.xh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: