NGA DORJANA BEZAT*

TIRANË- Gjatë mbrëmjes së të enjtes, rreth orës 23:50, në lagjen Nr.7 në Bathore, pranë një lokali ka ndodhur një shpërthim me lëndë plasëse, i cili fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas burimeve policore pranë komisariatit nr. 5 në kryeqytet, kjo ngjarje dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Kolaveri në nëntorin e vitit të shkuar. Lokali ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të Xhelal Dacit, i cili është babai i Elson Dacit, i arrestuar më 22 dhjetor 2015 si autor i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Kolaveri në një lokal në Bathore. (në foto, Elson Daci)

Për ngjarjen policia arrestoi edhe Xhelal Dacin me akuzën e fshehjes së armës së krimit.  Më 4 nëntor 2015 Elson Daci ose i njohur ndryshe si Gazmir Daci pas një konflikti verbal ka qëlluar mbi dy vëllezërit Valmir dhe Robert Klaveri. Njëri nga vëllezërit ndërroi jetë në vend ndërsa tjetri pak orë më vonë në spital. Sipas hetimeve motivi i kësaj vrasjeje ishte një konflikt i mëparshëm që vëllezërit Kolaveri kanë patur me Elson Dacin ne Francë. Vëllezërit e kishin rrahur në një bodrum Elson Dacin pasi ky i fundit u prishte pazaret e transportimit të paligjshëm të klandestinëve nga Franca drejt Anglisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb