Taulant Seferi pranon se u mërzit që nuk u ftua nga Kombëtarja, por është i bindur që në qershor do ta ketë shansin e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Tiranës rrëfen se ka bërë zgjedhjen e duhur që erdhi te bardheblutë, duke zhgënjyer ata që e përfolën. Tregoi se vendimin e mori për një orë, ndërsa nga ana tjetër tha se së ardhmes nuk i dihet. Më në fund, bardheblutë si çdo skuadër tjetër në Superiore e kanë njeriun e golit. Ai quhet Taulant Seferi. Sulmuesi ka shënuar deri tani 14 gola dhe nëse ia del të shënojë edhe një gol tjetër, biondi është bomberi më rezultativ sezonet e fundit, sepse shkon në 15 gola, që askush prej 2009-ës nuk i ka shënuar. Seferi është larg tetë gola nga Migen Memelli, lojtari i fundit që ka shënuar mbi 22 gola në Superiore.

Kampionati është drejt fundit, sepse jemi pak a shumë në fazën e fundit të tij. Tashmë mund të themi se Tirana është kampionia e Shqipërisë?

Nuk e shoh kështu. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Më saktë, dhjetë dhe në lojë janë 30 pikë në lojë. Mendoj se duhet patjetër të bëjmë maksimumin deri në fund të kampionatit. Këtë nuk e them për modesti, por nuk kemi ndeshje të lehta përpara. Secila skuadër kërkon të marrë maksimumin nga sezoni dhe faza e katërt. Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar.

Gjithsesi, 13 pikë janë shumë. Besoj se nuk rrezikoheni deri në fund të sezonit?

Po, është diferencë e mirë. Këtë e thonë të gjithë, por asnjëherë nuk duhet të fluturojmë para kohe, por të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Duke e marrë të mirëqenë që Tirana shpallet kampione, çfarë prisni nga Europa?

Si Taulant, them që jam këtu dhe i përqendruar te Tirana. Ishallah dalim kampionë dhe më pas do të mendojmë për Europën.

Qëllimi i shpallur dhe i pashpallur i Tiranës është Konferencë Liga. Mund ta arrijë kjo skuadër këtë objektiv?

Normalisht që është qëllim i madh. Duhet ta arrijmë. Ne kemi një grup fantastik, me djem me emër dhe shumë të mirë. Si fillim të marrim trofeun e titullit. Më pas në Europë do të bëjmë maksimumin.

Do të qëndroni edhe për Europën me Tiranën, sepse është folur për oferta serioze?

E dini edhe ju si gazetarë dhe ata që merren me sportin se në futboll nuk i dihet. Do të shohim, besoj se po.

Ju erdhi keq që Reja nuk ju dha një ftesë për ndeshjet e marsit të Kombëtares?

Të them të vërtetën, më erdhi keq, por e respektoj vendimin e trajnerit Reja. Unë do të bëj maksimumin siç kam bërë deri tani që të jem i gatshëm në qershor, pse jo… Shpresoj që të më ftojnë në qershor.

Çfarë prisni nga qershori e në vazhdim? Mendoni se keni dhënë maksimumin këtu te Tirana dhe duhet të provoni një aventurë tjetër të madhe?

Do ta them sërish. Kur erdha te Tirana, njerëzit thanë që unë bëra një hap pas, por unë isha i bindur që bëra hapin e duhur me ardhjen në Tiranë. E them sërish haptazi që Tirana më ka ndihmuar shumë. Me këto rezultate që kemi tani, them se si nga ana individuale, por edhe ekipore kemi bërë gjëra të mëdha. Jam i përqendruar këtu. Të ardhmen nuk e mendoj, por jetoj të tashmen. Dua të bëj maksimumin këto dhjetë takime. Dua të jem i përqendruar. Më pas do të shohim dhe do të bëjmë.

E dini që ka të paktën 13 vite që golashënuesi më i mirë nuk del nga Tirana?

Nuk e dija, por e lexova disa ditë më parë në “Panorama Sport”. Shpresoj që ta thyej rekordin për këto 13 vite. Është diçka e madhe, një kënaqësi individuale.

Dy të fundit kanë qenë Memelli dhe Salihi…

Salihi ka qenë një nga sulmuesit më të mirë në Shqipëri dhe e njoh. Diçka e bukur që të thyesh rekordin.

Sa ka shënuar Salihi e Memelli?

Memelli 22 dhe Salihi 26 gola… Janë pak shumë, sepse janë vetëm 10 javë, por nuk ka gjëra të paarritshme.

Besoj se kjo është motoja juaj në jetë?

Normalisht që po. Me punë nuk ka gjëra të paarritshme.

Duke e menduar, ishit në presion me fjalët “Seferi bëri hapa pas”?

E thanë të gjithë. Kishte fjalë negative. Thoshin se mbaroi karriera e Seferit. Seferi kështu e ashtu. Unë mora vendimin e duhur. Për kuriozitet, vendimin e mora shumë shpejt. Brenda një ore vendosa. Fola në telefon me Tefikun dhe thashë po. Shyqyr Zotit, rezultoi vendimi i drejtë. Falënderimi i takon atij. E kam justifikuar këtë vendim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: