TIRANË – Një vogëlush vetëm 14 muajsh me emrin Stivi Prendi, djali i oficerit të Policisë Gjyqësore, Ardian Prendi, ka ndërruar jetë mesditen e sotme në çerdhen nr.17 të kryeqytetit ndërkohë që flinte.

Prindërit janë njoftuar menjeherë për vdekjen e fëmijës dhe e kanë shoqëruar atë në Pediatri, ku ai u çua për ndihmë dhe, pasi humbi jetën, edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore u mësua se rrugët e frymëmarrjes ishin të pastra, fëmija nuk kishte probleme me organet jetësore dhe vdekja kishte ardhur nga shkaqe natyrale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40 në çerdhen shtetërore nr.17 që ndodhet në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, në afërsi të 21 Dhjetorit. Gazetarët e “News 24” që raportuan rastin thanë se foshnja kishte ardhur në çerdhe në gjendje normale, ishte ushqyer dhe më pas, vënë në gjumë. Por, gjatë kontrollit që edukatoret kanë bërë, kanë konstatuar se ai kishte komplikacione, zbehje dhe zverdhje në fytyrë.

Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe foshnja është dërguar në Pediatri, ku, sipas gazetarit Spartak Koka, kishte mbërritur pa shenja jete, pavarësisht ndihmës që iu afrua me shpejtësi. Trupi i tij më pas u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim kryerjen e ekspertizës dhe zbulimin e shkaqeve të vdekjes.

EDUKATORET: ISHTE ZBEHUR

Gazetarja Aurora Koromani ka shkuar në çerdhen ku ka ndodhur ngjarja dhe ka kontaktuar me edukatoret. “Jashtë kameras, – tha Koromani, – edukatoret thanë se fëmija ka pasur disa komplikacione, që më parë nuk janë parë tek ai. Ai ishte zbehur dhe u dërgua me shpejtësi në Pediatri, por dhe pse ndihma iu dha me shpejtësi, nuk mundi të mbijetojë. Edukatorët janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre në Polici.”

Lidhur me ngjarjen u prononcua edhe Pëllumb Seferi, drejtori i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në bashkinë e Tiranës, i cili deklaroi se “fëmija është pranuar i shëndetshëm në çerdhe. Qenë ndjekur të gjitha protokollet dhe standardet, është i vaksinuar. Pasi ka ngrënë drekën, ai është vendosur në gjumë dhe gjatë kontrollit është vënë re se ishte i zverdhur.”

Pas ekspertizës, trupi i vogëlushit u dërgua në shtëpi nga familjarët. I mituri ishte fëmija i tretë i çiftit Prendi, pas dy vajzave.

lulzim bashaa

KRYEBASHKIAKU BASHA NGUSHELLON FAMILJEN NE MORG

ORA 16:20 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka shkuar në morg disa minuta pas kësaj ngjarjeje, ku ka ngushëlluar prindërit e fëmijës dhe është interesuar për rrethanat e ngjarjes së dhimbshme. Kopshtet dhe çerdhet janë në varësi të institucionit të bashkisë.

(Në foto: Ambientet e çerdhes nr.17 dhe ambulanca që transportoi foshnjen në Pediatri)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: