Nga ERJON SKËNDAJ*

Në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet jetojnë mbi 30 familje të varfra, që trajtohen me ndihmë ekonomike, e cila varion nga 1800 në 4500 mijë lekë në muaj për familje.

Shumë prej tyre nuk kanë një kontratë të rregullt dhe për energjinë e konsumuar deri më sot iu është kërkuar të paguajnë faturën afrofe prej 6700 lekësh në muaj, së cilës i shtohet edhe një tjetër pagesë njëmijë lekëshe për borxhin e prapambetur, që në total bëhen sa dyfishi i pagesës së ndihmës që marrin nga shteti.

“Neës 24” u interesua pranë Ministrisë së Mirëqënies Sociale si institucioni kryesor që harton politika për shtresat në nevojë nëse ekziston një strategji për zgjidhjen e çështjes së borxhit të energjisë elektrike, që rëndon mbi familjet me ndihmë ekonomike, por ende nuk ka një përgjigje.

Në një nga daljet e fundit në publik, Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj deklaroi se qeveria në 1 vit e gjysëm ka arritur të dyfishojë pagesën e ndihmës ekonomike për familjet e varfra, por pa e specifikuar dhe pa sqaruar sesa kjo ndihmë plotëson nevojat e tyre për të jetuar, përfshirë pagesën e energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Opozita nga ana e saj e kundërshton skemën aktuale të ndihmës ekonomike të trasheguar nga ajo vetë kur ishte në pushtet. Ekspertë të saj deklarojnë se familjet e varfra në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më të varfra për shkak të ndihmës së vogël ekonomike që marrin nga shteti, e cila sipas tyre vlerësohet 3 herë më e ulët se niveli i varferisë ekstreme i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, 1.25 dollarë për frymë në ditë.

Në solidaritet me 87 mijë familjet e varfra shqiptare që nuk e paguajnë dot faturën e energjisë elektrike është rreshtuar institucioni i Avokatit të Popullit. Në një intervistë për “Neës 24” disa ditë më parë, kreu i këtij institucioni, Igli Totozani, deklaroi se i ka rekomanduar Qeverise shqiptare të falë detyrimet për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe të rishikojë skemën e ndihmës ekonomike bazuar në një studim mbi nivelin e minimumit jetik.

Ndryshe nga sa rekomandon Avokati i Popullit, qeveria duket se nuk do të ndryshojë kursin e saj për rikuperimin e borxheve që abonentët familjarë, përfshirë dhe ata që jetojnë në varfëri ekstreme, i kanë prej vitesh, OSHEE.

I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi”, kreu i OSHEE, Adrian Çela tha se nuk do të ketë më asnjë amnisti në sektorin energjetik.

Aktualisht, fqinji ynë Greqia, një shtet që prej vitesh ka dalë në recension, ka vendosur së fundi të ndihmojë 300 mijë familje të varfra duke u falur për çdo muaj 300 kilovat energji elektrike, ndihma në ushqime, si dhe një normë që i pengon bankat të konfiskojnë shtëpinë e tyre të parë.

Në të njëjtën kohë, Maqedonia, një tjetër shtet i Ballkanit, ofron për një familje të varfër, një pagë mujore që shkon në 100 euro në muaj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: