NGA MARIGLEN MËRTIRI*
TIRANË- Megjithëse është java e dytë e shkollës, 4 klasa të dyta të shkollës “Pjetër Budi” në Tiranë nuk kanë marrë ende librat. Fëmijët detyrohen të mësojnë me fotokopje ndërsa shumicën e orës vetëm e dëgjojnë duke mos e praktikuar. Kjo problematikë e pa hasur më parë është evidente në shumë shkolla të kryeqytetit ku disa shtëpi botuese nuk kanë sjellë në kohë librat ndërsa disa të tjera neglizhojnë afatet duke sjellë vështirësi në zhvillimin e mësimit normal. Mësuesja e klasës së dytë, Flutura Simo, me gjithë eksperiencën që ka mundohet të sigurojë një mbarëvajtje mësimore sa më tërheqëse por sërish mungon praktikimi i dijeve që nxënësit duhet të marrin.

“Kam gjetur një mënyrë, 3-4 nxënës kanë libra dhe i fotokopjojmë në drejtori dhe atë fletë ua jap nxënësve përpara, ne bëmë zgjedhjen e librave dhe nuk na japin asnjë arsye pse mungojnë, shkolla nuk merret me librat i bëjnë libraritë. Në rast se fëmija nuk ka me çfarë te punojë, atë që e dëgjon nuk e praktikon në mënyrë te pavarur”, shprehet mësuesja Flutura Simo.

Këtë situatë e pranon drejtori i shkollës, Albert Zhupa i cili i shqetësuar pohon se ka bërë përpjekjet maksimale por merr lloj-lloj justifikimesh nga shtëpitë botuese duke e lënë situatën të pandryshuar.

“Ka pasur mungesë korrektësie nga shtëpitë botuese, një nga ato shtëpitë botuese ALBAS dhe Print 2000, kam komunikuar me shtëpitë botuese dhe kam marre përgjigje se ka faj transporti duke justifikuar jo logjikisht, kam njoftuar drejtoreshën e arsimit të mesëm

kam pasur probleme edhe me ekspert publik dhe nuk kuptoj arsyen përse nuk vijnë librat në librarinë e caktuar, u kërkoj ndjesë prindërve për shqetësimin, nuk kam reshtur se bashkëpunuar me ta që takset të vijnë sa më shpejt, shpresoj që kjo javë të mos i gjej të shqetësuar. Mësueset, eksperiencën e kanë dhe në bazë të aftësive të tyre kanë bërë që këtë javë e kanë kaluar kështu me fotokopje dhe nxënësit kanë punuar mbi fotokopjet, prindërit nuk më kanë folur me gjuhën që duhet të me flisnin, i falënderoj dhe u kërkoj të falur”, thotë Albert Zhupa, drejtor i shkollës “Pjetër Budi”.

Në këto klasa janë të paktë nxënësit që kanë ndonjë libër dhe kjo pasi prindërit e tyre kanë shkuar shumë larg në Korçë, Laç apo Fier që fëmijëve të tyre asnjë ditë të mos i mungojë miku më i mirë në rrugën e dijes, libri.

Megjithëse kjo situatë duhet të ketë edhe penalitete për shtëpitë botuese, kjo mbetet për tu parë nëse Ministria e arsimit do të reagojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: