Nga: MARIGLEN MERTIRI*
TIRANE – Për ti bërë një mbulim kapilar territorit dhe problemeve të qytetarëve, Bashkia e Tiranës ka vendosur në zbatim një strukturë me 3 hallka, nga administratori i pallatit tek Bashkia e Tiranës.

Kjo nismë pritet të finalizohet brenda muajit shkurt, ku Bashkia do të trajnojë dhe më pas do të licencojë administratorët e pallatit, të zgjedhur nga vetë banorët. Hallka e dytë është ndërlidhësi i komunitetit, i cili do të jetë për një popullsi nga 2000 deri në 2500 banorë dhe më pas administrator i njësisë bashkiake.

“Një mbulim kapilar duke filluar nga çdo apartament i çdo qytetari deri te problemet më madhore që ka ajo zonë. Gjithsecili do të ketë zonën e tij të influencës, përsa i përket administratorit të pallatit, pasi të trajnohet do të certifikohet për njohuritë e tij dhe më pas do të licencohet nga Bashkia e Tiranës për këtë profesion, është përgjegjës për pallatin. Ndërlidhësi komunitar është përgjegjës për atë zonë dhe administrator njësisë është përgjegjësi për atë njësi administrative.” – u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Administratori i pallatit deri sot ka qenë një person pa influencë, duke mos zgjidhur dot të gjitha problemet. Por me këtë pilotim që pritet të nisë nga Njësia 5, figura e administratorit do të jetë më e plotësuar, pasi do të ketë edhe mbështetjen e Bashkisë.

“Nuk do të jetë më në dëshirën e çdo banori, dikush paguan dikush nuk paguan, sepse efikasiteti i këtij administratori nuk do të jetë më ai i deri tanishmi, por do të jetë shumë më rezultativ dhe më institucional.”- deklaroi Seferi.

Aplikacioni “Tirana Ime” është edhe një mundësi që qytetarët kanë për të raportuar problemet.

“Nëse një banor pallati do të bëjë një raportim për një problematikë, për një fasadë, pemë, ndriçim, pusetë, trotuar apo vendmbledhjesh mbeturinash, do të jenë administratorët e pallateve që do të jenë pikë verifikimi dhe pikë informacioni më e madhe e Bashkisë” – u shpreh Andi Seferi

Administratori pallatit, ndërlidhësi i komunitetit dhe administratori i njësisë do të rakordojnë punën për t’iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve dhe adresuar investimet atje ku duhen. Ky ka qenë edhe një nga shqetësimet e banorëve të shprehura gjatë fushatës së kryebashkiakut Veliaj, ndaj administrata e tij kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj reforme të mbështetur në ligj dhe udhëzime.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb