Nga: DORJANA BEZAT*
TIRANE – Tre automjete të markave “Audi, Q7”, “BMW, Seria 5” dhe një “Land Rover, Range Rover Sport”, janë sekuestruar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se janë vjedhur jashtë vendit.

Mbrëmjen e së hënës, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Kërkimit, kanë ndërmarrë një aksion, për “Identifikimin, Bllokimin, Sekuestrimin e automjeteve të vjedhura, e të Trafikuara në vendin tonë”. në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë shoqëruar së bashku me drejtuesit e mjeteve disa automjete për verifikim nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme, për rregullsinë e tyre. Janë sekuestruar gjithsej 20 mjete nga të cilat 17 automjete iu janë kthyer pronarëve menjëherë pas verifikimit në sistemin ASF2, ndërsa 3 mjete janë mbajtur për verifikim të mëtejshëm.

Dyshohet se këto makina janë futur në mënyrë ilegale në territorin e Shqipërisë dhe janë vjedhur në vende të ndryshme të Europës. Një operacion i ngjashëm u krye pak ditë më parë në Shkodër ku u sekuestruan 19 mjete. Ky operacion pritet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Në kuadër të këtij aksioni drejtoria e targave dhe doganat do të bëjnë një koordinim të të dhënave për  këtyre kategori mjetesh për të evidentuar mjetet me dokumentacion të parregullt.

Burime nga policia e Tiranës thonë se një pjesë e këtyre mjeteve kanë hyrë nga pikat doganore të Shqipërisë me numër shasie të dubluar. Duke qenë numër i falsifikuar, makina në sistem nuk rezulton e vjedhur. Një tjetër mënyrë e kalimit të këtyre makinave në doganë është duke futur me të njëjtat dokumente disa makina të të njëjtit tip dhe ngjyrë, por nuk mungojnë as rastet kur makinat futen ilegalisht jashtë pikave doganore.  Burime nga policia thonë se në territorin shqiptar përveç makinave të luksit, në mënyrë ilegale kanë hyrë edhe disa makina teknologjike vlera e të cilave arrin deri në 70 mijë euro.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb