TIRANË- Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar i dënuar me 12 vjet e tre muaj burg për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim lëndësh narkotike”. Gjatë operacionit kapet dhe arrestohet edhe një person tjetër me armë zjarri.
Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, 11.500 Euro , disa karta krediti , një kartë avokati dhe një celular.
Operacioni u zhvillua nga Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion se në një spital privat në Tiranë kishte shkuar për të kryer vizitë mjekësore një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, Specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të kërkuar në një nga dhomat e spitalit privat dhe konkretisht shtetasin: Lulzim Ademi, vjeç 39, banues në Tiranë.
Ky ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar , pasi Gjykata e Apelit Breshia Itali, E cila në vitin 2012 e ka dënuar këtë shtetas me 12 vjet e tre muaj burg për “Pjesmarrje në organizatë kriminale për trafikim lëndësh narkotike”.
Në momentin e kapjes së këtij shtetasi në dhomën e tij , u kap dhe u arrestua në flagrancë edhe shtetasi: Enver Curri, vjeç 47 , banues ne Tiranë , i cili në momentin e arrestimit ka kundërshtuar forcat e policisë. Këtij shtetasi gjatë momentit të arrestimit në çantë ju gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me mulli model “Ruger”, e mbushur me fishekë , 23 preje 500-e Euro , (gjithësej 11.500 Euro), një kartë avokati me emrin e tij dhe disa karta krediti.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb