(Në përditësim)
Emrat e 18 të plagosurve në brendësi*

TIRANË- Tronditet nga një shpërthim i fuqishëm zona e “Don Boskos”. Rrjedhja e gazit nga bombola e një dyqani ëmbëlsirash dhe akulloresh ka sjellë një shpërthim të madh dhe me pasoja të rënda, pasi 21 persona, pronarët e dyqanit dhe kalimtarë të rastit mbetën të plagosur. Dëshmitarët në vendngjarje bëjnë me dije se shpërthimi ka qënë shumë i fuqishëm, ndërsa më pas kanë shpërthyer edhe flakët e zjarrit.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, por pas disa orësh shumica prej tyre u zhvendosën në QSUT, në repartin e Djegieve. Bëhet me dije se 3 prej tyre po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi gjendja e tyre paraqitet e rëndë, si pasojë e djegieve që kanë marrë. Ndërkohë raportohet se njëri prej të plagosurve (Kujtim Cani) ndodhet në gjendje kritike për jetën në Reanimacionin e spitalit të Traumës.

Në mesin e të plagosurve janë edhe pronarët e ëmbëltores, Abdullah Dervishi, bashkëshortja e tij Paqësie dhe vajza e tyre Jonida. Mësohet se Abdullai është më rëndë nga të tre dhe vijon të jetë i shtruar në Reanimacion.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës (18:40) në ëmbëltore “Kamelia” në një kohë kur kjo zonë popullohet shumë për shkak edhe të lokaleve të shumta që ka. Shpërthimi ka prekur jo vetëm pronarët e dyqanit, por edhe personat që po pinin kafe në lokalet pranë si edhe kalimtarët, duke ngjallur panik në të gjithë zonën. Kujtojmë që shumica e të plagosurve ishin kalimtarë, ndërsa të shumtë ishin ata që telefonuan në News 24 për të përcjellë ngjarjen e rëndë dhe krejt të papritur. Nga pamjet duket se shpërthimi ka qënë aq i fuqishëm sa ka shkatërruar gjithçka, muret, vetratat dhe mobiljet e ëmbëltores, por eedhe të bizneseve dhe lokaleve aty pranë.

Forcat zjarrfikëse të mbërritura menjëherë në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur neutralizimin e zjarrit, duke shmangur rrezikun e shpërthimit edhe të katër bombolave të tjera të mbushura me gaz që ndodheshin në dyqan. Mësohet se bombola e cila ka pasur defektin, e për pasojë ka rrjedhur gazi, që shkaktoi edhe shpërthimin ka qenë 15 litërshe. Dyshohet se defekti në kokën e bombolës solli edhe ngjarjen e rëndë.

JA EMRAT E TË PLAGOSURVE
1- Kladjo Marashi 18 vjeç
2- Enrik Hima 27 vjeç
3- sabri baruni 60 vjeç 4
4- Dhori Qirjo
5- Mateo Zoto 30 vjeç
6- Xheladbie Kulla 67 vjeç.
7- Alfred shani 67 vjeç
8- Fadil Tuzi
9- Edvin Liko 30 vjeç.
10- Kujtim Cani 50 vjec.
11- Xhemile Shani 60 vjeç
12- Edlira Shima 20 vjeç
13- Evgjeni Bregu 48 vjeç
14- Kristi Koreci 20 vjeç
15- Krenar Bega 38 vjeç
16- Olsi Beqiri 30 vjeç. 17
17- Endrit marku 27 vjec
18- Nebile Muhedini 67 vjeç

EMRAT E PRONARËVE TË PLAGOSUR
19- Pronari i ëmbëltores- Abdullah Dervishi
20- Bashkëshortja- Paqësie Dervishi
21- Vajza e tyre- Jonida Dervishi

VIDEO PAS SHPERTHIMIT NE BALKANWEB
Pak minuta pas ngjarjes në redaksinë e BalkanWeb ka mbërritur një video që tregon momentet e para pas shpërthimit, ku kaosi, paniku mbizotëron para lokalit. Të plagosurit transportohen me urgjencë me barrela, ndërsa vihen re edhe forcat e policise.

MJEKU: TEK TRAUMA 18 RASTE, NË GJENDJE MË TË RËNDË NJË PERSON 45-VJEC
Ora 21:20- Mjeku i shërbimit të Urgjencës në spitalin e Traumës në kryeqytet në një prononcim për mediat deklaroi se janë 18 personat e paraqitur pranë këtij spitali për ndihmë shëndetësore. Sipas mjekut 6 persona kanë marrë plagë të rënda, ndërsa në gjendje më kritike ndodhet një 45-vjeçar.

“18 raste u paraqitën në Urgjencë me plagë e fraktura, 6 ishin në gjendje më të rëndë, i kemi transferuar në disa reparte. 2 persona ndodhen në repartin e Ortopedisë, 5 persona ndodhen në repartin e Plastikës, 1 person ndodhet në repartin e Kirurgjisë”, tha Dritan Cela.

Sipas tij, “një person me mbiemrin Cani është në gjendje më kritike pasi ka dëmtime në kokë dhe në qafë’, shtoi ai. “Evgjeni Shima është jashtë rrezikut për jetën”,- shtoi mjeku.

Po sipas tij, asnjë prej personave nuk ka nevojë për një ndihmë më të specializuar jashtë vendit, pasi i gjithë stafi është në gatishmëri.

MINISTRI I SHËNDETËSISË, BEQAJ VIZITON TË PLAGOSURIT NË QSUT
Ora 20:52- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka vizituar në orët e mbrëmjes të plagosurit e shpërthimit në “Don Bosko”, që ndodhen në ambientet e QSUT-së.

Ndërkohë që mësohet se drejt QSUT-së, në repartin e Djegies janë transportuar të gjithë të plagosurit që më herët u shtruan në spitalin e Traumës.

SHPËRTHIMI, NJËRI PREJ TË PLAGOSURVE NË GJENDJE SHUMË TË RËNDË
Ora 20:30- Gazetari i News 24 Spartak Koka pas vendngjarjes ka shkuar në spitalin e Traumës ku ka marrë edhe informacionet më të fundit. Nga kontaktet me mjekët ai konfirmon se njëri prej të plagosurve ndotjet në gjendje shumë të rëndë.

FLET DËSHMITARI: ISHA NË KAFE KUR NDODHI SHPËRTHIMI
Ora 20:12- Një dëshmitar flet për News 24. Personi i identifikuar si Alfred. D bën me dije se ka qenë i ulur në lokalin ngjitur, në kohën kur ka ndodhur shpërthimi në ëmbëltore “Kamelia”. Sipas tij nga forca e shpërthimit shumë objekte kanë fluturuar në ajër edhe jashtë ëmbëltores. Ai tregon se ka pësuar dëmtime në kokë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: