Gazeta Panorama publikoi një ditë më parë procesverbalin e gjyqit sekret dhe ditarin e rrallë të mbajtur nga Gani Kodra ish-i dënuari i regjimit komunist dhe njeriu i afërt i familjes së Mehmet Shehut.

Gani Kodra ka mbajtur postin e shefit të Sigurimit të Bllokut, dhe ai përfundoi në bankën e të akuzuarve si pjesë e organizatës kundërrevolucionare e udhëhequr nga Mehmet Shehut, që sipas regjimit të kohës synonte të eliminonte fizikisht Enver Hoxhën.

Në botimin ekskluziv të ditarit të Gani Kodrës ai ka rrëfyer me detaje se si u inskenuan akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hasbiu, Feçor Shehut, Mihallaq Ziçishtit, Llambi Ziçishtit, Fiqiretet Shehut dhe Ali Çenos.

Në botimin e sotëm të Gazetës Panorama.al, ish-shefi i Sigurimit të Bllokut, rrëfen momentet e vështira në gjyq, ku Mihallaq Ziçishti pas torturave të shumta ka hedhur akuza ndaj Kadri Hazbiut dhe lidhjet e tij me agjenturat.

Çfarë ka ndodhur në prillin e vitit 1983 brenda qelisë së burgut 313, ku pas tre tavolinave të vjetra ishte vendosur trupi gjykues i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Aranit Çela dhe me prokuror të çështjes, vetë prokurorin e përgjithshëm Rrapi Minon.

Si u luajt tragjikomedia e tmerrshme dhe e paskrupullt mbi Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçorr Shehun, Mihallaq Ziçishtin, Gani Kodrën, Llambi Ziçishtin, Ali Çenon, etj të cilët të sfilitur dhe të shkatërruar fizikisht nga torturat 17-mujore të hetuesisë detyroheshin të dëgjonin me duar të prangosura lloj-lloj paradoksesh të sajuara në selinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Gjithçka bëhet e mundur sot mes zbardhjes së ditarit më sekret të mbajtur nga Gani Kodra, i cili është njëri prej të pandehurve të atij grupi dhe që ka qenë i ulur në bankën e të akuzuarve në krah të Kadri Hazbiut.

Nëpërmjet faqeve të atij ditari, që do të botohet i plotë ekskluzivisht nga Gazeta Panorama.al në numrat në vazhdim, lexuesi do të njihet me historinë e hetuesisë së Kadri Hazbiut. Gjendja e tij e rënduar ku mes torturave ishte gjymtuar dhe sakatuar, aq sa rrinte para trupit gjykues me 6 brinjë të thyera. Qëndrimi i tij në gjyq. Cilët ishin dëshmitarët që dolën në atë gjyq dhe si arriti hetuesia që mes torturave barbare të thyente disa prej dëshmitarëve për të kryqëzuar Kadri Hazbiun.

800 0 Ed876d76a9b6b38eebebf6ab561fc1db
800 0 Ed876d76a9b6b38eebebf6ab561fc1db

Çfarë thanë kundër Kadriut, Nesti Kerenxhi, Mihallaq Ziçishti, Halit Bajrami, Ali Çeno, Dhora Leka si dhe ish-sekretarja, shoferi dhe radisti i tij. Kundërpërgjigjet e Kadriut dhe situa ta që ai sillte herë pas here duke mbërthyer me pyetje dëshmitarët. Akuzat që hidhte ndaj trupit gjykues dhe kuraja e bij e jashtëzakonshme për të denoncuar publikisht histori-komedinë, që sajohej nga Enver Hoxha në plazhin e Vlorës që cili jepte përditë udhëzime nëpërmjet Herkuran Isait.

Vendimi përfundimtar i atij gjyqi të tmerrshëm, i cili vendosi denenimin me vdekje për të pandehurit, të cilët deri pak muaj para se të uleshin në atë banke duartrokiteshin nga populli. Reagimi i Kadri Hazbiut kur mësoi vendimin për ekzekutimin e tij dhe fjala e fundit para trupit gjykues.

PJESE NGA DITARI I GANI KODRES

TE PARIT I JEPET FJALA MIHALLAQ ZIÇISHTIT

I pari që u pyet nga ne ishte Mihallaq Ziçishti, i cili si gjithë të tjerët i ishte nënshtruar torturave më çnjerëzore që mund mendohen. Pas kësaj, ai nuk kishte mundur të rezistonte në hetuesi, por ishte detyruar të pranonte gjithçka që i kishin servirur sipas porosive që kishin marre nga lart. Për ketë arsye, hetuesit e tij në bashkëpunim me prokurorin dhe kryetarin e trupit gjykues, e ishin vënë Mihallaqin të parin në listë për ta pyetur. Këtë e bënë jo vetëm se ata kishin bindjen se ai do të mund të pranonte edhe para trupit gjykues ato që ishin shënuar në procesverbalin e tij, pra ato që kishte pranuar gjatë hetuesisë, por edhe për faktin se në atë procesverbal ishin shënuar materiale me vlerë, për të vërtetuar ato që kishte fantazuar Enver Hoxha. Në të vërtetë ashtu ndodhi. Para trupit gjykues, Mihallaq Ziçishti deponoi një për një ato që ishin shënuar në procesverbalin e parapërgatitur në hetuesi nën efektin e torturave çnjerëzore, madje pa ndryshuar as edhe një presje.

Unnamed 7
Unnamed 7

ÇFARË THA MIHALLAQI PARA TRUPIT GJYKUES

Në deponimet e tij, Mihallaq Ziçishti pranoi se ka pasur një organizatë “kundërrevolucionare”, se të gjithë pjesëtarët e saj ishin agjentë të vjetër në shërbim të zbulimeve të huaja dhe se kryetari i kësaj organizate ishte poliagjenti Mehmet Shehu. Përveç sa thashë më lart, deponimet e Mihallaqit, sipas trupit gjykues dhe hetuesve, do të ndikonin që në fillim për të vënë me shpatulla pas muri Kadri Hazbiun. Me gjithë presionet shtazarake që i kishin bërë, Kadri Hazbiu jo vetëm që nuk kishte pranuar asgjë, por i kishte hedhur ato poshtë me argumente e neveri. Që në fillim ai bëri një përshkrim se si ishte rekrutuar agjent i zbulimit jugosllav që në kohën e luftës Nacionalçlirimtare.

“Në fillim të vitit 1943”,- tha ai isha efektiv në batalionin partizan “Fuat Babani” në zonën e Korçës. Në këtë periudhë bëra një gabim në luftë dhe më dënuan duke më ulur përgjegjësi. Këtë e shfrytëzoi Dushan Mugosha, i cili në atë periudhë ishte i deleguar i Partisë Komuniste jugosllave në atë zonë.

Ai më afroi duke më mbajtur afër, je që solli që pas një periudhe kohe, unë të vihesha në shërbim të tij. Pas kësaj, gjatë gjithë periudhës së luftës, unë mbaja lidhje të vazhdueshme me të, kurse mbas çlirimit ato lidhje i mbajta me zbulues të tjerë jugosllavë, të cilët kishin ardhur si këshilltarë pranë Sigurimit të Shtetit. Unë kisha detyrë të jepja dhe merrja informata dhe udhëzime. Këto lidhje i mbajta derisa u prishën marrëdhëniet me e Jugosllavinë.

“Në vitin 1950”, -vazhdoi më tej ai unë shkova për specializim në shkollën e zbulimit sovjetik në Moskë. Në këtë grup bënte pjesë edhe Kadri Hazbiu. Gjatë asaj periudhe që qëndrova në shkollë në Moskë, më mori në lidhje zbulimi sovjetik, që i kishte marrë të dhënat nga zbulimi jugosllav dhe më vuri në shërbim të tij, të cilit i shërbeva deri në fund.

Merrja udhëzime dhe jepja informacione për të gjithë sektorët e shtetit, edhe për udhëheqjen e Partisë së Punës se çfarë ndodhte brenda saj. Më kujtohet se një natë tha Mihallaqi – erdhi Kadri Hazbiu, duke m’u afruar në dhomë pasi ishim vetëm për vetëm dhe më tha: “Dëgjo Mihallaq, sonte me rekrutoi zbulimi sovjetik duke u bërë bashkëpunëtor i tyre dhe më dhanë detyra bashkëpunëtor i tyre dhe më dhanë detyra dhe udhëzime të “nuk je ti i pari, pasi mua po ajo punë më gjeti, duke u vënë dhe unë në shërbim të zbulimit sovjetik”.

Pogradec Enver Hoxha Hekuran Isai Ramiz Alia Dhe Nexhmie Hoxha 720x415 750x375
Pogradec Enver Hoxha Hekuran Isai Ramiz Alia Dhe Nexhmie Hoxha 720×415 750×375

HEKURAN ISAI MBANTE KONTAKTE ME ENVER HOXHËN

Mihallaqi fliste qetë dhe rrjedhshëm duke iu përmbajtur me përpikmëri procesverbalit të hartuar nga hetuesit me në krye Hekuran Isain, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm dhe drejtonte direkt hetuesin e grupit tonë. Ai punonte gjithë natën në burg, duke pyetur secilin prej nesh dhe herët në mëngjes nisej për në Vlorë, për të takuar Enver Hoxhën që ishte atje me pushime. I raportonte të rejat nga hetuesia dhe merrte udhëzime nga ai me pyetje të përgatitura në mënyrë që procesi të ndërtohej sipas fantazisë që kishte Enver Hoxha dhe të dilte ashtu siç ia kishin servirur në fjalime popullit.

Mihallaqi vazhdoi deponimet e tij, duke thënë: “përveç se Kadri Hazbiu ishte agjent i zbulimit sovjetik, ishte dhe agjent i zbulimit jugosllav i rekrutuar fill pas çlirimit. Këtë ma kishte thënë Nesti Kerenxhi, që në vitin 1945 ishte zëvendësi veçante, kur përfundoi unë i thashë se kryesor i Koçi Xoxes. Ai më pati thënë, vazhdoi Mihallaqi, se në një takim që kish te pasur në atë kohë me Titon në qytetin Pula të Jugosllavisë, e kishin pyetur për Kadri Hazbiun, duke i thënë që është djalë i zgjuar dhe duhet ta mbani afër. Nga kjo, unë kuptova se edhe Kadriu ishte rekrutuar si unë.

Këtu dua të shtoj se edhe Nesti Kerenxhi ishte arrestuar disa muaj pas Kadri Hazbiut, pikërisht për t’u përdorur si dëshmitar në gjyqin e Kadriut. Në të vërtetë ati e përdorën në gjyqin e Kadriut, duke dëshmuar për ato fjalë që tha Mihallaqi vetëm se i zbukuroi gjoja me elozhet dhe perspektivën që Tito fliste për Kadriun. Të gjitha këto, që ishin të sajuara dhe të montuara, vetë Kadri Hazbiu në kundërpërgjigjet dhe pyetjet që u bëri atyre dëshmitarëve i nxori pa themel dhe të pabazuara. Ai i hodhi posh të me neveri. Më vonë morëm vesh se pas deponimit si dëshmitar në gjyq kundër Kadriut, megjithëse ishte dënuar 15 vjet, Nesti Kerenxhiun e liruan nga burgu për qëndrimin që ai mbajti në gjyqin tonë. Dukej që çdo gjë ishte e planifikuar dhe e kombinuar në të gjitha mënyrat.

****
KUSH ËSHTË GANI KODRA DHE SI I REALIZUA DITARI I GJYQIT ‘HORRORR”

Ish-shefi i sigurimit të Byrosë Politike për më se 20 vjet me radhë dhe njeriu më i afërt i familjes së Mehmet Shehut, kur u arrestua në fillim të vitit 1982, nuk e kishte menduar asnjëherë se do të arrinte një ditë dhe ai do të dilte i gjallë prej burgut dhe prej grackës së rrezikshme të diktaturës.

Ai akuzohej si anëtar i organizatës më të rrezikshme kundërrevolucionare të drejtuar nga Mehmet Shehu. Pas kësaj akuze, së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin dhe Llambi Ziçishtin të cilët u dënuan me vdekje, Gani Kodra për 17 muaj në hetuesi, do të përballonte lloj-lloj torturash dhe prapaskenash të tmerrshme. Pas hetuesisë, ai për ditë të tëra do të detyrohej në bankën e të akuzuarve të përballej me lloj-lloj dëshmish, të cilat mes intrigave të sajuara nga Prokuroria dhe Hetuesia do ta kalonin ashtu si dhe Kadri Hazbiun shumë herë në gjendje torturuese fizike dhe psikologjike.

Dëshmitarët që hidhnin baltë dhe akuzonin Kadri Hazbiun, Feçorin, madje Mehmetin dhe vetë Gani Kodrën vinin e iknin radhazi në atë sallë të vogël të ambienteve të burgut 313. Ndoshta ata dëshmitarë, madje dhe vetë prokurori dhe të gjyqtari i çështjes nuk mund ta kishin menduar se një ditë do të kthehej pllaka politike dhe dikush si Gani Kodra do të arrinte të dilte i gjallë, dhe puna e parë që do të bënte do të ishte hedhja në letër e gjithë asaj te tragjedie të ndodhur brenda mureve ku rrinte të i lidhur së bashku me Kadri Hazbiun.

Ai arriti të dilte i gjallë nga burgu vetëm në vitin të 1990 dhe menjëherë filloi të hedhë në letër vuajtjet e tij që i ishin skalitur në kokë si he ditët më të llahtarshme të jetës./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb