Në Shqipëri shpesh thuhen gjysmë të vërteta, flitet shumë për tolerime dhe trukime në futboll, por janë të pakta rastet ku vetë protagonistët pranojnë publikisht se kanë toleruar, nga veprimet apo mos veprimet e tyre janë vendosur dhe tituj si ai i vitit 2002. Kjo ka qenë një “legjendë” që flitej shpesh ndërmjet tifozëve por kur e pranon vetë një emër i madh, një nga trajnerët më të rëndësishëm ndër vite të futbollit shqiptarë si Atrit Hafizi mund të konsiderohet pa frikë si një “bombë”. E përditshmja më e madhe sportive në vend, “Panorama Sport”, risolli në vëmendjen e tifozëve disa episode të veçanta, ngjarje që kanë shënjuar futbollin në vend. Gjithçka nisi nga një intervistë me një ikonë të futbollit shkodran si Ferid Rragami, nga ideja për të analizuar sfidën Vllaznia-Partizani dhe deri tek refuzimi për të toleruar në një ndeshje kundër Besëlidhjes:

Nga ato që kam lexuar për ju, ju cilësonin si me një njollë në biografi që quheshin atëherë, pastaj keni refuzuar të toleroni një ndeshje kundër Besëlidhjes dhe u bëtë problem. Ma shpjegoni pak, pse “sistemi” ju shihte shtrembër?

Të them të drejtën, unë vetë nuk kam ditur gjë sepse nuk më kanë treguar gjë prindërit. Por, unë kisha dy halla të arratisura. Njëra, ishte në Belgjikë, kurse tjetra ishte në Amerikë. Kur shkova me Kombëtaren e të rinjve në vitin 1974 në Kinë, 1 muaj e gjysmë, zhvilluam atje 8 ndeshje miqësore. Pasi u ktheva më premtuan se do të më grumbullonin me ekipin Shpresa, por nuk më grumbulluan. Më vonë, kur më grumbulluan dhe doli lista për të udhëtuar, më thirri Shyqyri Rreli dhe më thotë: “Ferid nuk do të shkosh këtë radhë sepse ka dalë një problem”. Unë u mërzita jashtë mase, por pas kësaj fola me babanë dhe ai pastaj më tregoi. Problemi ishin njerëzit e mi të arratisur. Por, një gjë është e sigurt, unë jam marrë gjithmonë me sportin dhe nuk kam diskutuar probleme të tjera.

Po në ndeshjen me Besëlidhjen çfarë ndodhi?

Isha 33 vjeç. Luajtëm fillimisht me Dinamon në Kupë dhe na mundën në ndeshjen e parë në Tiranë 2-0. Kur erdhën në Shkodër i mposhtëm ne 2-0 dhe shkoi ndeshja me penallti, do të dilnim në finale. Ishte viti 1990, atëherë skuadra toleroi dhe Dinamo na eliminoi me penallti. Pastaj erdhi radha e ndeshjes me Besëlidhjen. Kishin biseduar dhe kishin rënë dakord t’ua linin ndeshjen, pasi po të humbte Lezha binte nga kategoria.

Edhe si shkoi ndeshja?

Mua më lanë rezervë edhe pse isha kapiteni i skuadrës… Pra dukej qartë se çfarë po ndodhte. Pesë minuta para se të mbaronte pjesa e parë më fusin në fushë. Kemi pasur një sulmues në atë kohë, Barbullushi, i cili më thotë: “Këta të tërë duan ta lënë ndeshjen, por hajde luajmë ne të dy bashkë dhe ua tregojmë nëse e lënë dot apo jo…”. Unë isha qendërmbrojtës i lirë, por dola në mesfushë me kokën time. Kap top e jepja Barbullushit, kap top e jepja atij. Ai bëri dy gola, ndërsa unë më pas sa kapa topin e parë shënova gol. Pak më vonë mora përsipër një goditje dënimi nga 40 metra larg edhe shënova edhe të dytin. E pashë që portieri kishte dalë shumë dhe e çova direkt në portë. Fituam 4-2.

Çfarë ndodhi më pas?

Pas asaj ndeshjeje, u futa brenda në dhomat e zhveshjes dhe u thashë: Ju lumshin këmbët të tërëve. Faleminderit për këtë që bëtë. Unë nga sot e tutje nuk luaj më futboll. Ju respektoj të tërëve, ua priftë Zoti mbarë dhe atë ditë lashë futbollin.

Nuk luajtët më?

Jo, nuk luajta më.

Kush ka qenë trajner atëherë?

Trajner ka qenë Astrit Hafizi. Por, nuk ishte ai problemi, pasi tolerimi ishte bërë mes lojtarëve.

Pas kësaj intervistë të Ferid Rragamit, një pjesë të intervistës, reagoi po për “Panorama Sport” edhe ish trajneri i Vllaznisë Astrit Hafizi, i cili pranoi se i ka ndodhur edhe herë tjetër të tradhtohet nga lojtarët, diçka e tillë ka ndodhur në vitin 2002, në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Dinamos në “Loro Boriçi”:
A ju ka ndodhur ndonjëherë tjetër që të jeni i tradhtuar në profesionin e trajnerit? (Mendohet dhe psherëtin…)

Po, ka ndodhur edhe një herë tjetër dhe ndoshta ka qenë edhe më e rëndë. Më e pakapërdishme për mua. Jeta i ka këto dhe bota jonë e futbollit e njeh edhe këtë anë të errët.

Mund të na e thoni kur ka ndodhur?

Ka ndodhur në sezonin 2001-2002, kur Dinamoja fitoi titullin. Ndeshjen e fundit e kishte me ne dhe duhet të fitonte patjetër, sepse edhe me barazim, po të fitonte Tirana, e humbnin titullin dhe e fitonin bardheblutë.

Çfarë ndodhi gjatë ndeshjes?

Gjatë ndeshjes disa lojtarë nuk u impenjuan sa duhet. Pati sjellje të çuditshme në momente kulmore. Dukej që kishin bërë marrëveshje me Dinamon në mënyrë “të nëndheshme”. U kuptua edhe gjatë lojës dhe, për fat të keq, na u desh të duronim të gjitha akuzat dhe dyshimet e opinionit publik se “e lamë ndeshjen”. Tirana ishte e para që na akuzoi, por e vërteta nuk ishte tamam ashtu. Aty vetëm disa lojtarë ishin të përfshirë në marrëveshje.

Mund të na i thoni emrat e atyre që dyshoni se nuk u impenjuan sa duhet kundër Dinamos?

Jo, mos ma kërkoni këtë. Ka kaluar shumë kohë. Nuk mendoj se ia vlen më.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb