Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për zhvillimet e fundit në kampionatin shqiptar. Ai ka komentuar edhe ngjarjet e 1967-ës, kur Dinamo e Skënder Jarecit doli kampione, pas përjashtimit të Tiranës dhe Partizanit. “Xhaxhi” mes batutash rrëfen privilegjet që kishin tri ekipet e kryeqytetit në kohën e komunizmit. Ai rrëzon pretendimet e Tiranës për persekutim në raport me Dinamon dhe Partizanin, pasi në atë kohë, sipas tij, të gjithë ishin të Partisë.

Profesor Sejdini, Superiorja e sezonit që vjen do të jetë pa Dinamon, Skënderbeun dhe emra të tjerë të mëdhenj, ndërkohë që janë ngjitur Erzeni dhe Bylisi. Çfarë mendimi keni për këtë fakt?

Edhe në mendjen time, teksa shoh emrat, ka një kontradiktë në argumentim. Jemi në ekonomi tregu dhe ekipet që kanë fuqi ekonomike marrin edhe lojtarët më të mirë. Bëjnë një hap përpara, bëjnë ekip më të fortë. Ky është një fenomen, ku ne themi: Pse është, supozojmë Fieri jashtë, Elbasani, Kavaja, Vlora? Kontradikta është te Dinamoja. Pse kjo skuadër që shpenzoi më shumë se 1 milion euro ra nga kategoria?! Deduksioni logjik është që jo gjithmonë fuqia ekonomike determinon. Do edhe fuqinë profesionale, logjikën. Futbolli të ndëshkon dhe fakti më domethënës është Dinamo. Do të ishte më bukur që kampionati të kishte emrat që jemi mësuar: Flamurtari, Skënderbeu, Besa e me radhë, por fakti është ky. Nëse nuk ka balancë mes anës ekonomike dhe anës profesionale, futbolli të ndëshkon. Edhe Skënderbeu kishte financa.

Tirana ndërkohë doli kampione. A e meritoi titullin?

Në fillim pati skepticizëm, sepse Tirana është një ekip i madh, ekip me tifozë dhe ekip “i egër” në pritshmëri. Vendosja e trajnerit Shehi pati një lloj dyshimi, sepse është i ri, jo tiranas, nuk kishte kontribuuar asnjë orë për Tiranën. Mendimi im është se Shehi u adaptua shumë mirë dhe detyrën e ka bërë në perfeksion. Shehi dhe gjithë të tjerët kanë qenë në një emërues të përbashkët. Tirana ishte ekipi më i konsoliduar. U ndihmua edhe nga largimi i Ngosë. Nëse do të ishte ai, do të ishte më e vështirë. Ishte një lojtar që nuk përçonte entuziazëm, por vetëm unin. Do të ishte pengesë e madhe, ndaj me largimin e tij dolën më në pah Seferi dhe Xhixha. Ekipi krijoi besim, edhe kur nuk ishte në gjendjen më të mirë arrinte të fitonte. Në futboll besimi është diçka shumë e rëndësishme.

Pati një parullë në ndeshjen e fundit nga tifozët e Tiranës, të cilët kërkojnë edhe tre tituj të tjerë. Një prej tyre është edhe ai i 1967-ës, që u fitua nga Dinamoja. Si është e vërteta, profesor?

E kam jetuar atë kohë, kam qenë lojtar me Dinamon. E vërteta është që ne, të gjitha ekipet në atë kohë, ishim të Partisë. Ky është mendimi im. Tirana e Partisë, e Komitetit, Dinamo e Partisë, e Ministrisë së Brendshme, Partizani i Partisë, i Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe Tomori i Beratit ishte i Partisë e kështu me radhë. Kjo gjë duhet ndarë përgjithmonë. Sepse, po të ishe jo i Partisë, ai të merrte dhe të internonte. Nuk e kishte për gjë. Tashti, a u ekzagjerua me fenomenin në atë vit…? Këtu mund të diskutohet.

Çfarë ndodhi konkretisht në atë vit?

Luanin Tirana dhe Partizani, që ishin për titull. Dinamo ishte në vend të tretë. Ndeshja luhej në “Qemal Stafa” dhe pati një incident. Ky është fakt. U zunë me grushte dhe në atë kohë ishte një fenomen i jashtëzakonshëm. Mendimi im është që, për të mos u krijuar një precedent, për opinionin publik, u mor ai vendim. Nëse kishte një qëllim, atëherë do të nxirrnin kampion Partizanin. Dënohej Tirana dhe dilte Partizani, sepse kush e ndante grushtin në atë që ndodhi. Pra, për të shmangur krijimin e një precedenti, i dënoi të dyja dhe deduksioni ishte që kampion të dilte vendi i tretë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: