Ditët e fundit është rikthyer edhe një herë në vëmendje çështja e titullit kampion të sezonit 2015-2015 që Komisioni i Etikës ia hoqi Skënderbeut dhe Partizani si nënkampion ka bërë kërkesë të njihet si fituesi zyrtar.

Në pritje të vendimit përfundimtar që prek më shumë se një palë, FSHF nxiton të reklamojë se çështja ka shkuar në CAS. Në fakt klubi i Skënderbeut ka njoftuar prej kohësh se nuk do të heq dorë nga ai titull dhe se çështjen do ta dërgojë në institucionin më të lartë të drejtësisë në sport.

Por për t’u habitur është se FSHF ka marrë rolin e zëdhënëses së klubit korçar për çështjen në fjalë. Vetë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i ftuar në “Rubrikën Sportive” në “RTSH” me një dëshirë të madhe për të bindur të tjerët me atë që thotë, deklaroi se është gati të servir dokumentin që konfirmon se Skënderbeu e ka bërë ankimimin në CAS-in e Lozanës kundër vendimit të Etikës në qershor të këtij viti.

Fakti që Skënderbeu ka bërë ankimimin dihej prej kohësh, edhe pse nuk është reklamuar asnjëherë nga klubi korçar, por interesant është fakti që këtë sqarim e bën Federata dhe jo vetë klubi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb