Dy vite më parë dominion totalisht futbollin shqiptar, sot në shtëpinë e kuqe kanë ndryshuar shumë gjera, në krye të ekipit është një trajneri i ri si Ilir Daja, nuk mundën të lëviznin në merkato por në kryeqytet kanë mbetur një pjesë e mirë e lojtarëve që rikthyen titullin pas 26 vitesh. Pikërisht ky fakt bën që Daja por dhe kapiteni Alban Hoxha të mos përjashtojnë të kuqtë nga gara për titull:

Ilir Daja:
Bojkoti plus për Partizanin? Ana pozitive e bojkotit është se kemi pasur më shumë kohë për të punuar. Trajneri ka nevojë të aplikojë filozofinë e tij et ekipi i ri dhe mendoj se në këtë anë kemi pasur një llojë ndihme. Nga ana tjetër, jemi gati për fillimin e sezonit të ri. Kampionati duhet të fillonte që më 12 shtator dhe mendoj se të gjitha ekipet janë gati. Problematika kanë edhe stadiumet, të gjithë ndeshjet do të luhen në transfertë.

Kastrioti? Nesër kemi një ndeshje të vështirë, ata kanë tre vite që luajnë bashkë, kanë krijuar eksperiencë, janë përforcuar me disa elementë të mirë. Kanë bërë performanca të mira në miqësore, në aspektin e lojës dhe rezultatit. Miqësoret kanë qëllim kryesor, sidomos te Partizani, eksperimentimin. Nuk janë tregues konkret, të gjithë stafet, lojtarët dhe arbitrat janë në kushte të qeta. Ngarkesa në kufi janë ndeshjet zyrtare, të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

Ne do fokusohemi vetëm te Partizani. Në stilin tonë të punës i studiojmë kundërshtarët, ja u prezantojmë edhe lojtarëve. Ne do të ecim nën moton që çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë. Do të vlerësojmë vetëm ndeshjen e radhës, nuk do merremi me çfarë bëjnë kundërshtarët tanë. Të gjithë lojtarët janë në dispozicion, përveç Llanajt, i cili nuk është i gatshëm. Melo ka hasur probleme në ndeshjen e Kupës, por do të jetë gati për ndeshjen e kampionatit. Partizani ka gjithmonë objektiva maksimale.

Disa lojtarë kanë qenë pjesë e ekipit që u shpall kampionat, Hoxha, Belica, Bardhi. Asani dhe Mala janë vlerë e shtuar. I vetmi problem, që nuk është i vogël, por që mundohemi ta minimizojmë, është ndarja jo në raporte të rregullta të lojtarëve në pozicionet e tyre. Ekipi ka lojtarë me eksperiencë dhe potencial të madh individual. Vlerat e Hoxhës dihen, Belica është një pikë e fortë e ekipit, është edhe zv kapiteni i ekipit. Nuk është hera e parë që punoj në kushte të tilla.

Nuk e bën Ilir Daja të çojë Partizanin drejt titullit, çelësi i suksesit te një ekip është bashkëpunimi. Asgjë nuk ka munguar nga presidenti, drejtori i rri afër ekipit, administrata ka bashkëpunim. Janë edhe lojtarët, vjet nuk luajtën një kampionat të mirë, ndërsa parvjet dolën kampionë.”, përfundoi Daja.

Alban Hoxha:
“Partizani ka ruajtur grupin dhe është ndërthurur, ka lojtarë me eksperiencë, lojtarë që kanë dalë kampionë, por edhe të rinj. Sipas mendimit tim ky është kombinimi i duhur. Shpresoj që nesër ta nisim me këmbën e mbarë, pasi kemi bërë ndeshje të mira në miqësore dhe jemi stërvitur shumë mirë.

Objektivat te Partizani janë maksimale gjithmonë, edhe pse merkato u bllokua. Repartet nuk i kemi shumë të dubluara, sidomos mbrojtja. Objektivi jonë është t’i marrim ndeshjet një nga një. Duke parë ecurinë, do mendojmë ta synojmë titullin kampion. Pse jo, nuk është çudi e madhe…

Trajnerin e njihni mirë, ka mentalitet fituesi. Këtë pjesë ka dashur t’ia transmetojë edhe lojtarëve. Jemi munduar që lojtarët e rinj, të mos kenë presionin e titullit. Të bëjnë mirë për veten e tyre, ne të vjetrit duhet t’i mbajmë afër dhe t’i drejtojmë gjatë ndeshjeve. Shpresojmë që të na shkojë sa më mirë. E kemi mbajtur ritmin. Miqësoret dhe ndeshja e Kupës na kanë shërbyer, Të gjithë ekipet do e kenë problemin e bojkotit. U bë kohë e gjatë pa tifozë, por nuk është problem i madh mungesa e tyre. Nuk është se mbushen stadiumet këtu, e mira do ishte të ishin, por nuk ka një ndikim të madh.

Lojtari më i vjetër apo ai me më eksperiencë, apo unë që jam kapiten, nuk është se e çojmë në stres apo gjendje ekstreme gjendjen e presionit. Jemi mësuar me këtë pjesë, nuk është se na bën shumë përshtypje. Kur ke objektiva të mëdha normale që do të kesh presion.”, u shpreh Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb