Shpëtim Duro është njeriu i momentit në futbollin e Maqedonisë së Veriut, pas shpalljes kampion me skuadrën e Strugës, e cila nën drejtimin e një eksperti si trajneri tiranas arriti të dominonte dhe të fitonte titullin për herë të parë në histori. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Partizanit analizon suksesin e tij me Strugën, si dhe flet për derbin mes Tiranës dhe Partizanit, i mbyllur në një barazim 1-1. Duro shprehet se Shehi e fitoi betejën taktike me Kolelën. Gjithsesi, sipas tij, asgjë nuk është mbyllur.

Sa i vështirë ishte ky titull me një klub të ri si Struga?

Sigurisht që çdo titull ka vështirësitë e veta, akoma më shumë kur është një klub i ri si Struga, pa traditën e disa prej skuadrave të tjera. Një klub që nuk ka traditë në fitimin e trofeve, ka vështirësitë e veta, kështu që në këtë aspekt kemi rivalizuar dhe kemi mposhtur dy skuadra me shumë traditë si Shkëndija dhe Shkupi.

A e patë derbin? Si ju duk kjo ndeshje për nga niveli i lojës?

Ne jemi grumbulluar me skuadrën në Mavrovë për finalen e Kupës dhe e pashë derbin së bashku me skuadrën. Më tepër ishte ambient tejet i bukur, sepse të luash në “Air Albania”, edhe ndeshja mes skuadrave të dorës së dytë të bën që ndeshja të duket e bukur, e jo më Tirana dhe Partizani. Unë mendoj se më tepër ishte një ndeshje taktike nga të dyja skuadrat. Por si konkluzion dua të them se pavarësisht mungesave shumë cilësore të Tiranës, Partizani nuk arriti të përfitonte. Meriton komplimente trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i cili me gjithë mungesat e shumta, arriti të bëjë një përgatitje jashtëzakonisht pozitive të ndeshjes.

Si është gara për titullin kampion pas këtij barazimi? Kush është më i avantazhuar?

Padyshim, barazimi i shkon për shtat Tiranës, por gjithçka mbetet shumë e hapur. Kjo javë që vjen, është shumë vendimtare. Të dyja skuadrat kanë ndeshje shumë të rëndësishme. Partizani luan me Vllazninë dhe njëkohësisht edhe Tirana në Laç. Kështu që çdo gjë është e hapur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb