Pavarësisht se Kombëtarja shqiptare luan të mërkurën miqësoren me Katarin në Spanjë, tifozët kuqezi vëmendjen kryesore e kanë te sfidat e tjera, me Italinë dhe Armeninë, ku do në fushë do të zbresin senatorët që luajnë jashtë Shqipërisë.

Por jo të gjithë janë gati, pasi ka të dëmtuar. Listës së dëmtimeve u është shtuar së fundmi edhe Endri Çekiçi. Mesfushori i Kombëtares do të mungojë për të paktën 15 ditë. Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i Konyaspor, skuadër me të cilën aktivizohet pogradecari. Çekiçi nuk është i vetmi.

Në portë nuk llogaritet Thomas Strakosha, i cili mund të kthehet në muajin janar, ndërkohë Etrit Berisha duket sikur i ka lënë problemet në bërryl dhe u grumbullua nga Torino në ndeshjen e fundit me Bologna-n.

Po ashtu Frederik Veseli ka mbyllur vitin dhe pritet të kthehet në janar, ndërkohë dëmtim po vuan edhe Klaus Gjasula me Darmstadt ku mungon prej disa ndeshjesh.

Edhe Amir Abrashi ka munguar për shkak dëmtimi në Zvicër dhe është drejt rikuperimit dhe e njëjta situatë është edhe për Qazim Laçin në Francë, që po punon për të kapur formën maksimale. Lajm i mirë vjen për Rey Manajn, i cili është kthyer në stërvitje me Watford.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb