SHBA- Dhoma e Përfaqësuesve e ka shtyrë votimin për shfuqizimin dhe zëvendësimin e ligjit për shërbimin shëndetësor, që njihet si “Obamacare”.

Burime të udhëheqësve republikanë në Kongres komentuan të enjten me disa media amerikane, vetëm disa orë para votimit të pritshëm, shkruan VOA.

Anëtarë të bllokut të ekstremit të djathtë të Dhomës së Përfaqësuesve, të njohur si “Komiteti i lirisë”, thanë pas takimit me Presidentin Donald Trump, se nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me shfuqizimin e programit “Obamacare”.

Ligjvënësi Mark Meadows, kryetar i “Komiteti i lirisë”, konfirmoi se grupi i tij dhe presidenti nuk kishin arritur marrëveshje për këtë çështje.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë pati një interpretim të ndryshëm lidhur me bisedimet me konservatorët në Kongres, duke bërë një deklaratë, ku thuhej se të dyja palët kishin ndërmarrë “një hap pozitiv” drejt shfuqizimit së ligjit për kujdesin shëndetësor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i tha gazetarëve se shumë ligjvënës kishin lënë të kuptohet se do të votojnë për shfuqizimin e Obamacare. Por, ai shtoi se “në fund të fundit, ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit të votojnë.”

Dukshëm kjo çështje ka përçarë partinë republikane dhe presidenti Trump si dhe udhëheqësit republikanë në Kongres po përpiqen të gjejnë votat e mjaftueshme për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor të miratuar nga administrata e presidentit Obama dhe për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri shëndetësor.

“Shfuqizimi dhe zëvendësimi”, ashtu siç shprehen republikanët, i planit të presidentit Obama, ishte një nga premtimet dhe temat krysore mbi të cilën u bazua fushata e presidentit Trump dhe e republikanëve. Por sot që pritet votimi në Kongres, republikanët deri tani duket se nuk i kanë votat e mjaftueshme. Ndërsa ata janë të bashkuar për ta shfuqizuar sistemin e kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, ata janë të përçarë përsa i përket sistemit të ri me të cilin do ta zëvëndësojnë atë. Ndarjet më të mëdha janë mes republikanëve konservatorë, që thonë se ligji i ri nuk bën shkurtime sa duhet dhe republikanëve më të moderuar që thonë se shkurtimet e parashikuar janë shumë të thella.

Para disa ditësh presidenti Trump i paralajmëroi ligjvensësit republikanpë që ende hezitojnë se në se ata nuk votojnë për ta shfuqizuar Obamacare, kjo do t’i zemëronte zgjedhësit dhe mund t’u kushtonte ligjvënësve vendet e tyre në Kongres, në zgjedhjet e 2018. Ligji i ri në se kalon në Dhomën e Përfqësuesve duhet të miratohet edhe nga Senati, ku fati i tij është po ashtu i i pasigurt.

Zoti Trump dhe republikanët e kanë kundërshtuar prej kohësh programin 7 vjeçar të ish presidentit Obama për shëndetsinë. Programi ka rritur me 20 milionë numrin e amerikanë të siguruar, por republikanët pretendojnë se në formën e tanishme pagesat për të do të rriten aq shumë sa do të bëhen të papërballueshme.

Zyra e pavarur e buxhetit në Kongres arriti në përfundimin se 24 milionë amerikanë do të humbasin sigurimin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, nëse miratohet plani republikan. Presidenti Trump dhe udhëheqësit republikanë mbrojnë fort argumentin se plani i tyre, ndryshe nga “Obamacare”, do t’u japë njerëzve mundësinë të blejnë një plan që mbulon nevojat e tyre dhe që ata mund t’a përballojnë financiarisht.

Sot paradite, ish presidenti Obama përmes një deklarate u bëri thirrje ligjvenësve të mos miratojnë ndryshime që nuk do ta përmirësonin sistemit e kujdesit shëndetësor për amerikanët. Në se republikanët duan t’i bëjnë përmirësime sistemit aktual, thotë ish presidenti, ata mund të negociojnë me demokratët dhe të miratojnë ndryshimet përkatëse.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: