Një tjetër ndëshkim ka ardhur për një tjetër resort në Drimadhes të Himarës. Kësaj radhe është gjobitur me 2 milionë e 500 mijë lekë resorti i A.K., pasi ky i fundit po sistemonte plazhin duke hedhur inerte dhe mbeturina teksa po ndërtonte pa leje dhe një objekt me dërrasa në plazh.

Tashmë A.K, do të hetohet për shpërdorim të tokës dhe ndërtim pa leje kurse IKMT ka pezulluar çdo lloj punimi.

Ndërkohë vetëm ditën e djeshme u gjobit një tjetë biznesmen në Himarë pasi po sistemonte plazhin me mbeturina dhe inerte ndërkohë që është hapësirë publike, dhe 44- vjeçari u ndëshkua me masë administrative 2 milionë lekë.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Himarë – Gjobitet një tjetër subjekt në shkelje në zonën e Drymadës, Himarë.

Aksioni nga Policia e Himarës në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT).

Subjekti privat, një resort në pronësi të shtetasit A.K, ka bërë ndërhyrje të paligjshme në sistemimin e plazhit bregdetar duke hedhur mbeturina dhe inerte, si dhe ka ndërhyrë duke rindërtuar me dërrasa një objekt në plazh, pa leje nga autoritetet.

Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Himarë ka nisur procedimin penal ndaj pronarit të subjektit, shtetasit A.K., për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndërtim pa leje”.

Po ashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektin me masë administrative – gjobë 2.500.000 lekë për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Për kundravajtjen, IKMT nisi procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi dhe sanksionoi me vendim, subjektin kundravajtës.

Policia e Shtetit dhe IKMT u bëjnë thirrje gjithë subjekteve të tregojnë kujdes maksimal në lidhje me pronën publike, pasi në të kundërt do të përballen me pasoja të forta konform ligjit.

Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb