KORCE– Një tjetër ngjarje e rëndë vjen nga qyteti i Korçës. Një 28-vjeçar ka tentuar të vrasë babanë e tij pasditen e djeshme, i cili ndodhej i shtruar në spital, për të marrë mjekim.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas policisë së Korçës, i riu Petrika Ceco kishte hyrë në ambientet e spitalit të Korçës rreth orës 19:30, dhe pasi ka ushtruar dhunë fizike mbi babain e tij, ka tentuar ta mbysë me një rrip.

Ndërhyrja e personelit në pavionin e Patologjisë ka shmangur një tragjedi. 28-vjeçari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar më pas në banesën e gjyshërve, atje ku ishte fshehur.

“Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 05.12.2016, rreth orës 19.30, ky shtetas në ambientet e Spitalit Rajonal të qytetit të Korçës, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike si edhe ka tentuar të mbytë me një rrip (material sintetik) babanë e tij, shtetasin M.C, 61 vjeç, i cili ndodhej i shtruar në pavijonin e Patologjisë, për të marrë ndihmë mjekësore. Pasi ka kryer këtë veprim Petrika Ceco, është larguar nga vendngjarja. Shërbimet e Policisë menjëherë kanë lokalizuar vendndodhjen e tij (ishte fshehur në banesën e gjyshërve në lagjen nr 1) e më pas kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të tij, për veprën penale : “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 79/c e 22 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Babai i tij, shtetasi M.C, ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se motivi i kësaj ngjarje, mund të ketë qenë një konflikt familjar.

Materialet hetimore i kaluan për ndjekje, Prokurorisë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda në Tiranë.

Një tjetër krim i rëndë tronditi Korçën dhe mbarë opinionin publik ditën e djeshme, pasi një 41-vjeçar mbyti me tel dy fëmijët e mitur, 6 dhe 4 vjeç, dhe më pas vari veten.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb