Sergio Romero sulmon trajnerin e Argjentinës, Sampaoli. Portieri i Manchester United nuk e ka pritur mirë largimin nga lista e Argjentinës për Botërorin “Rusi 2018”. Në një intervistë për “TyC Sports” Romero u shpreh: “Problemi i dëmtimit tim është një histori e vjetër. Ka nisur që në vitin 2004, kur isha 17 vjeç dhe luaja për Racing. Më operuan në gju dhe më pas luajta në Holandë, Itali, Francë dhe Angli, gjithashtu mora pjesë në dy Botërorë. Goditja që mora kundër Spanjës ishte e fortë dhe mendova se më ishte thyer gjuri, por jo. Megjithatë duhet të kryeja një operacion. Vendimin e kisha marrë. Fola me trajnerin Sampaoli dhe i thashë se kisha kohën e nevojshme për t’u rikuperuar për Botëror. I thashë që gjuri ishte në rregull dhe se do të isha gati për 10 ditë. Do të isha gati që në sfidën e parë kundër Islandës në grup. Nisa fazën e rehabilitimit. Por, trajneri donte një portier që të stërvitej çdo ditë me kombëtaren. Katër orë pas bisedës që pata me trajnerin Sampaoli, e pashë veten jashtë listës së Botërorit. Unë mund të luaja në Botëror. Prej 9 vitesh ndihesha titullar i kombëtares. Por, nga momenti që më hoqën nga lista, nuk është më kështu”, tha portieri Sergio Romero. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb