Qeveria shqiptare do të nisë një “aksion” për regjistrimin e tokave bujqësore të përndara me ligjin 7501. Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi do të shndërrohen në certifikata pronësie brenda dy viteve. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame dje gjatë një takimi, ku shpërndau lejet e fundit të legalizimit në Pezë. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t tha se, “pas legalizimeve nis aksioni i madh i këtij mandati të qeverisë, që është regjistrimi i tokave bujqësore, i AMTP-ve. Ky është aksioni i madh i radhës, që kërkon njësinë vendore të impenjohet për të vazhduar procedurat, është aksion që kërkon legjislativin të impenjohet”. “Na besoni dhe siç mbyllëm aksionin e madh të legalizimeve do të mbyllim dhe aksionin e regjistrimit të tokës bujqësore”,-premtoi Lame duke vënë theksin në rëndësinë që ka bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit.

TAKIMI

Peza është zona e parë në Tiranë që përfundon procesin e legalizimeve. Në një aktivitetet të zhvilluar në këtë njësi administrative, ALUIZNI dha lejet e fundit që përmbyllin kështu një proces të gjatë në kohë dhe të gjerë në problematikë. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se, “ALUIZNI e kreu rolin e vet në historinë e tranzicionit shqiptar dhe, tashmë duke përmbyllur radhë pas radhe procesin e legalizimit, po shkon drejt shuarjes së vet”. Duke sjellë në vëmendje faktin se, deri në 2013 në të gjithë zonën e Pezës nuk është bërë as edhe një legalizim, Lame sqaroi se, “i gjithë stoku prej 833 objektesh në këtë zonë të kryeqytetit u trajtua në këto 5 vitet e fundit, siç u trajtua dhe po vazhdon të trajtohet në të gjithë Shqipërinë”. “U përmbyll me sukses ky proces edhe për faktin se e gjithë popullsia e kësaj zone u impenjua që të bashkëpunonte me punonjësit tanë për ndjekjen dhe plotësimin e dokumentacionit”,-tha kreu i ALUIZNI-t, në prani edhe të deputetit të zonës Arben Pëllumbi, duke përmendur se, “kur në 2013 Partia Socialiste dha premtimin për përmbylljen e procesit të legalizimeve është thënë gjithmonë, legalizim falas dhe legalizim i çdo objekti të legalizueshëm”. Sipas Lames, ka dhe objekte që nuk mund të legalizohen apo objekte që do të presin ndryshime ligjore nëse do të jetë e mundshme.

LIGJI I RI

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, përfshirë marrjen e pronësisë së truallit, do të funksionojë sipas parimit të dritares unike. Ndryshe nga tani, ku ky proces kalon në 3 institucione shtetërore, si ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencia e Pronave, ligji i ri që është miratuar ia transferon të gjitha këto kompetenca Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Do të jetë ky institucion, që evidenton ndërtimin pa leje, administron dokumentacionin e kërkuar, si dhe kryen procedurën e legalizimit brenda një periudhe dymujore. Me miratimin e legalizimit, pronari i ndërtimit bëhet automatikisht pronar edhe i truallit, i cili si rregull nuk mund të jetë më i madh se 500 metra katrorë, përveç rasteve të veçanta si ndërtimet me funksion social-ekonomik, ku trualli që kalohet në pronësi mund të jetë deri në trefishin e sipërfaqes së ndërtuar. Por, ky parim vlen vetëm për tokën shtetërore. Ata që kanë ndërtuar mbi tokë të zënë, e cila u përket të tretëve, do të marrin në pronësi truallin vetëm pasi të ketë hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për kompensimin e pronarëve të tokës. Deri në atë moment, ndërtimi i legalizuar regjistrohet pa marrëdhënie me truallin. Sipas ligjit, procesi i legalizimeve nuk do të ndërpritet në asnjë rast, edhe atëherë kur ka konflikt pronësie për tokën mbi të cilën është ndërtuar objekti. Agjencia e Kadastrës e legalizon ndërtimin, ndërkohë që qeveria ngrin në një llogari të veçantë kompensimin e pronarëve. Pas zgjidhjes së konfliktit të pronësisë në gjykatë, kompensimi i kalon automatikisht individit që njihet si pronar nga gjykata.

PERFUNDIMI I PAJISJES ME TITUJ PRONËSIE

NENI 10 i ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë parashikon edhe procedurën e pajisjes me certifikatë pronësie të tokave të përfituara me ligjin 7501. Kushtet për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore.
1. Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që plotësojnë, njëkohësisht, këto kushte: a) Kanë qenë legjitimuar për të përfituar tokë sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.255, datë 2.8.1991,nr.452, datë 17.10.1992, apo vendimeve të veçanta, pavarësisht nëse kanë ndryshuar vendbanimin pas datës 1.10.1992. Këtu përfshihen edhe subjektet, që, sipas informacionit të gjendjes civile, kanë ardhur me banim në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore pas datës 1.8.1991 si dhe banorët jopunonjës të ish-kooperativave bujqësore;
b) Nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë kooperative apo ndërmarrjeje bujqësore tjetër;
c) Përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë organeve kompetente për plotësimin me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose janë pajisur me aktin e marrjes së tokës në përdorim;
ç) Janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.

/GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb