Lufta e Ukrainës kundër invazionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus është ngjarja e botës. Ajo ka shtyrë buzë greminës ligjin dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës së dytë botërore. Ajo mund të jetë mitra e një lufte të re botërore që nuk e ka njohur deri më sot njerëzimi.

Qeveritë e Perëndimit janë në punë non stop për t’ju përgjigjur sfidave të kësaj lufte. Mediat kryesore televizive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Europës e me siguri edhe të Amerikës Latine, Azisë, Afrikës dhe Australisë, i kushtojnë asaj çdo natë emisione të posaçme, ku lajmet për zhvillimet më të reja gërshetohen me analiza ekspertësh të dorës së parë.

Njerëzimit mban frymën. Kërkon të jetë i informuar. Kërkon të kuptojë deri ku mund të shkojë Rusia, ku duan të dalin skifterët e Moskës apo papagallët e Putinit që po flasin me termat e “armiqësisë absolute”, siç do të thoshte Rajmond Aron, ku vetë ekzistenca e Perëndimit konsiderohet një agresion për Moskën, ndaj duhet zhdukur nga faqja e dheut!

Kudo dhe doemos në Ballkan, pra edhe në Shqipëri e Kosovë, njerëzit kanë nevojë të informohen në dinamikë dhe të kuptojnë se çfarë ka parasysh Putini kur paralajmëron zgjimin e dallgëve të radikalizimit në Europë dhe në Ballkan, cilat janë grupet dhe subjektet që Moska i llogaritur apo i ka kolonë të pestë të saj në Perëndim, sa janë në lojën destabilizuese të Moskës për minimin e demokracisë dhe sa në logjikën e konfrontimit të natyrshëm demokratik me qeveritë e tyre grupet dhe partitë që po “ngrihen” e po “manovrojnë” për të rrëzuar qeveritë me orientim perëndimor nga Moldavia e deri te Italia madje. Të gjitha këto janë tema të mëdha të kohës sonë, shqyrtimi i të cilave ndihmon qytetarët të hapin mendjen dhe të pozicionohen sa më drejt përkundrejt ngjarjeve përcaktuese.

Në Shqipëri, pas ditëve të para të agresionit rus, emisionet për luftën në Ukrainë kanë qenë dhe janë me pikatore ose zero.

Jo vetëm lufta në Ukrainë por edhe ngjarje të tjera me jehonë dhe rëndësi botërore gjejnë shumë pak ose aspak hapësirë në “ agorën” tonë. Një e tillë është ekspozimi publik në senatin amerikan i rezultateve të hetimit bipartizan të sulmeve të dhunshme mbi Kapitol Hill pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, në një përpjekje të paprecedent për të anuluar fitoren e ligjshme Presidentit Biden dhe për të imponuar atë të rivalit të tij humbës.

Shumë vëmendje dhe emisione në mediat më të njohura të Perëndimit për këtë ngjarje. Në Shqipëri pak, ose aspak.

Të shkon mendje se izolimi dhe shndërrimi i Shqipërisë në një “tokë pa kontinent” para viteve nëntëdhjetë nuk ka qenë vetëm i diktuar nga regjimi “as lindje, as perëndim” i Enver Hoxhës, por edhe një mënyrë të menduari që e ka favorizuar diktatin. Dhe që vazhdon sot e kësaj dite.

Ka qenë e pritshme që hapja e mendjeve të ecë më ngadalë se hapja e kufijve, e dyerve, e marrëdhënieve me botën, e legjislacionin e ri.

Por një “zhytje” me kokë në të voglat e përditshmërisë, në meskinitet, vanitet dhe superficialitet tipik provincial, si kjo që po shohim kohët e fundit, nuk e kishim imagjinuar.

Ngjarjet vendore kanë e duhet të kenë patjetër hapësirën e tyre në media. Vaniteti dhe hedonizmi, tallavatë dhe tralalatë në modë gjithashtu. Nuk jam kundër. Disa bëjnë shumë lekë në tregun e emisioneve të lehta dhe klisheve që i përshtaten shijeve dhe kërkesave populiste. Kush thyen një piano ka më shumë shikueshmëri se ai që i bie pianos. Kanë më shumë “blerës” dhe treg kërshëritë nga bota e krimit, vulgaritetet dhe thashethemnajat lloj-lloj. Këto i dimë, i pranojmë si fakte të gjendjes njerëzore.

Por ka një hierarki, dreqi e mori, sa i takon vlerës publike të ngjarjeve dhe zhvillimeve. Media e lirë jo vetëm i shkon pas fillit, por edhe e formon, pa rënë në tendeciozitet, interesin dhe shijen e publikut të gjerë.

Përkundër asaj që thuhet rëndom se ngjarjet e mëdha nga bota kanë interes të vogël në publikun shqiptar, kemi shumë konfirmime, si për shembull nga drejtuesit e portalit të madh Ballkanweb, që shquhet për larminë e shkrimeve dhe bollëkun e lajmeve në kohë reale nga lufta në Ukrainë, se këto shkrime dhe lajme janë ndër më të lexuarat.

Injorimi i ngjarjeve me rezonancë botërore në mediat tona ndikon në formatimin e mendjeve të varfra, të ngushta, të prapambetura, të manipulueshme, të mjera. Vetvetiu, me dashje a pa dashje, ky lloj injorimi i bën jehonë dritëshkurtësisë se një kallëpi politikanësh, që pluskojnë pa pushim në kënetën tridhjetëvjeçare me të njëjtat qasje, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa, rrethuar nga të njëjtat fytyra të klonuara të padijes e dinakërisë. Për interesat dhe hallet e tyre nuk përtojnë të shërbejnë në “forma bashkohore” një veçim të ri vendit dhe aleanca me regjimet autokratike.

Është një iluzion të mendojmë se ngjarjet e mëdha nuk kanë punë me ne.
Ne mund t’i injorojmë.
Ato jo.

“Askush nuk është një ishull në vetvete/ secili nga ne është pjesë e kontinentit, pjesë e së terës…”, thoshte më shumë se katër shekuj më parë poeti anglez John Donne. Që shtonte: “Vdekja e një njeriu më zvogëlon/ sepse pjesë e njerëzimit jam/ ndaj kurrë mos pyet për kë bie kambana./ Ajo bie për ty”./Liberale.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb