Tom Cruise ka dorëzuar tre çmimet e tij Golden Globes në shenjë proteste për mungesën e larmisë në institucionin që drejton çmimet vezulluese vjetore të Hollywood-it.

Cruise është ylli i fundit që i bashkohet një kori në rritje kritikash.

NBC, që e transmeton ngjarjen që nga viti 1996, ka njoftuar se nuk do të transmetojë ceremoninë vitin e ardhshëm.

Kanali televiziv bëri të ditur se dëshironte të shihte “reformë kuptimplote nga organizatorët dhe Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollywood-it (HFPA).

WarnerMedia, Netflix dhe Amazon Studios gjithashtu po refuzojnë të marrin pjesë në ngjarje të lidhura me HFPA-n, anëtarët e së cilës votojnë për çmimet dhe që është përballur prej muajsh me kritika, pas një raporti nga “Los Angeles Times” në shkurt, që zbuloi se nuk kishte pasur një anëtar të vetëm me ngjyrë për 20 vjet.

Gjithashtu, Scarlett Johansson, e nominuar për pesë Golden Globes, u ka kërkuar të tjerëve në industrinë e filmit të bojkotojnë organizatën, nëse organizata nuk bën ndryshime të rëndësishme të brendshme.

Kolegu i saj aktor në “Avengers”, Mark Ruffalo shkroi se reformat e HFPA-s ishin “shkurajuese”.

“Tani është koha për të rritur dhe për të korrigjuar gabimet e së kaluarës. Sinqerisht, si një fitues i fundit i një Globi të Artë, nuk mund të ndihem krenar ose i lumtur si një marrës i këtij çmimi”, tha ai.

Të martën, HFPA publikoi një afat kohor të reformave, duke thënë se dëshironte t’i zbatonte “ndryshimet transformuese sa më shpejt dhe sa më me mend që të jetë e mundur”, duke shtuar se “reforma sistematike … është e vonuar”.

HHPA shtoi se ishte e përkushtuar “për të arritur këto qëllime me urgjencë ekstreme”.

Sipas planeve, pritet që anëtarësia e HFPA të zgjerohet me një theks në rekrutimin e anëtarëve zezakë dhe punësimin e këshilltarëve të diversitetit.

Ajo është zotuar të rrisë anëtarësinë e saj me 50% gjatë 18 muajve të ardhshëm.

Çmimet Golden Globes janë të dytët pas Oscar për nga profili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb