TIRANË- Edhe pas dëshmisë së Durim Bamit, i cili përgënjeshtroi totalisht akuzat e deputetit Tom Doshi, ky i fundit deklaron se nesër dorëzon provat nëe Prokurori. Në faqen e tij të Facebook, Doshi shkruan se ka kontaktuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë dhe ditën e nesërme do të dorëzojë provat.

Tom Doshi gjithashtu deklaron se do të flasë sonte në mbrëmjen drejtpërdrejt me të gjithë shqiptarët në një emision televiziv.

“Kam kontaktuar sot me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ti dhënë dëshminë time në lidhje me hetimet e nisura për tentativë vrasje ndaj meje dhe një kolegu tjetër deputet. Më kanë caktuar, pas kërkesës time, që nesër paradite të paraqitem për të dorëzuar provat e mia. Para çdo gjëje për mua si person është e rëndësishme transparenca me publikun dhe votuesin. Sot kam vendosur të komunikoj drejtpërdrejtë dhe hapur me të gjithë shqiptarët”, deklaron Doshi.

Të hënën, deputeti socialist Tom Doshi u përjashtua nga grupi parlamentar dhe menjëherë pas daljes nga selia rozë deklaroi se Ilir Meta, ka paguar persona për të vrarë atë dhe deputetin e PD-së Mhill Fufi. Pas akuzave të tij, policia shoqëroi dhe mori në pyetje personin e porositur për të kryer vrasjet sipas Doshit, Durim Bami.

Ky i fundit ka deklaruar para prokurorëve se “Tom Doshi thuri skenarin e atentatit dhe më bleu një makinë luksoze për të thënë versionin e tij në zyrën e ministrit Tahiri”.

I riu ka përgënjeshtruar pretendimet e deputetit Tom Doshi.

“U pagova nga Doshi për të thënë versionin e tij. Thashë para kamerës ç’më kërkoi Doshi. Thashë në kamera që mora urdhër nga lart. Doshi me bleu një automjet luksoz. Më çoi te Tahiri të thosha emrin e Metës. Në zyrën e Tahirit foli thuajse gjithë kohës Tom Doshi”, mësohet të ketë thënë 36-vjeçari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: