TIRANE- Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi rikthehet sërish në Gjykatën e Lartë, duke nisur një tjetër betejë ligjore, këtë herë me Prokurorinë e Përgjithshme. Ai kërkon nga gjykata të shfuqizojë një vendim të prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj deputetit të LSI-së dhe njëherazi kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho. Muaj më parë, deputeti i Shkodrës iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me një kallëzim penal ndaj Brahos, duke e kallëzuar për shpërdorim detyre dhe përhapje të të dhënave që përhapin panik.

Kallëzimi erdhi fill pas publikimit të një letre, që Spartak Braho u kishte dërguar krerëve të disa institucioneve, ku fliste për një skenar për destabilizimin e vendit, me protagonist Tom Doshin dhe ish-deputetin e LSI-së, Dritan Prifti.

Prokuroria vendosi të mos fillojë hetime, me arsyetimin se nuk gjenden elementë të veprës penale. Por, Doshi e kundërshton këtë vendim të organit të akuzës në Gjykatën e Lartë, pasi këmbëngul se, lidhur me kallëzimin që ai bëri ndaj Brahos, nuk është kryer asnjë hetim.

Ndaj ai kërkon nga gjykata supreme, që krahas shfuqizimit të vendimit, të urdhërojë prokurorinë për nisjen e hetimeve për Spartak Brahon. Seanca e djeshme gjyqësore u shty për mungesë të prokurorit Kosta Beluri. Më 3 shkurt, kur pritet të zhvillohet seanca e radhës, palët do të përballen ndërmjet tyre.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb