TIRANE-Personi që akuzohet nga Tom Doshi si porositësi i vrasjes së dy deputetëve, Fation Skënderi, tregon lidhjet e tij me personat që përmenden në videon e Durim Bamit.

Ne nje interviste ekskluyive dhene për gazetën “Panorama”, Fation Skënderi shprehet se nuk ka asnjë njohje as me Doshin, me Kryemadhin, Metën, apo me prokurorin e Krimeve të Rënda.
Duke treguar per personat që e implikojnë në çështjen “Doshi”, ai thote se historia ka sjellë shumë shqetësime në familjen e tij. Ai gjen lidhje mes atentatit që i bënë me 6 plumba dhe videos së Durim Bamit që e paraqet atë si porositës të vrasjes së dy deputetëve, Doshi dhe Fufi.
Ju jeni përmendur te videoja e Durim Bamit, por edhe te intervista e deputetit Tom Doshi si porositësi i atentatit ndaj tij. Fillimisht, çfarë lidhje keni ju me deputetin Doshi?
Me Tom Doshin nuk kam asnjë njohje, nuk e kam takuar kurrë. Me sa mbaj mend unë, në 1997 frekuentonim një lokal të përbashkët në Tiranë, që quhej “VIP”. Nipat e tij i kam njohur si fytyrë, por kurrë nuk jam ulur me ta që të bisedojmë dhe të rrimë. Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi, nuk më lidh absolutisht asgjë me të.
Po me Durim Bamin, i cili ju përmend në videon e tij, keni njohje?
Po, kam njohje. Në 2005 kam qenë i dënuar dhe e kam njohur te vendi i dënimit, siç kam njohur dhe shumë të tjerë. Kam pasur njohje, të themi, por jo miqësi apo shoqëri. Asnjëherë nuk ka hyrë te rrethi i miqve. Pas dënimit e kam takuar herë pas here, në mënyrë rastësore për ndonjë servis makine që ka pasur nevojë. Mund të jem takuar rastësisht në rrugë ose ndonjë lokal, jemi përshëndetur, por jo shoqëri.
Si e morët vesh këtë histori ku ju ishit të përfshirë?
E kam marrë vesh përmes mediave.
Ndërkohë ju ishit në Gjermani kur e morët vesh?
Unë në Gjermani kam ikur në datën 8 shtator 2014, sepse kisha lënë takim për një vizitë mjekësore për bashkëshorten time, e cila ende ndiqet nga mjeku i specializuar. Parashikoja që të kthehesha pas 2 javësh nga Gjermania, sapo të përfundonte trajtimi mjekësor i saj. Ndërkohë, marr vesh nga miku im Ymer Lala, i cili më merr në telefon dhe më kërkon që të më takojë urgjentisht. Vjen Ymeri në Gjermani dhe më thotë: “më ka thirrur Tom Doshi në telefon dhe më ka thënë se Fationi është pjesë e një grupi që kërkon të më vrasë mua”. Në moment u shokova, sepse isha në Gjermani për një problem shumë serioz shëndetësor dhe dëgjoja histori të çuditshme. I shqetësuar fillova të vras mendjen se përse lakohet emri im për gjëra dhe njerëz që s’kam pasur asnjëherë të bëj, as në jetë dhe as në biznes. Mendja më shkoi tek atentati që më kishin bërë pak kohë më parë.
Si ka qenë historia me atentatin tuaj, si i shpëtuat atij?
Unë zakonisht pija kafen e pasdites në lokalin tim, rreth orës 7 dhe kthehesha në shtëpi rreth orës 10 e gjysmë të darkës. Rrugës për në shtëpi, te rrethrrotullimi i “Casa Italia” më parakalon një makinë me shpejtësi dhe dëgjova vetëm breshëri automatiku që erdhi nga kjo makinë, por nuk mora vesh gjë. Gjashtë plumba hynë në makinën time, në xhamin e automjetit nga krahu ku isha unë, pjesa tjetër u zbraz në hapësirë dhe prekën dhe një godinë ku u dëmtuan rreth 20 kompjutera që kishte brenda. Këtë ngjarje unë e mora për momentin si gabim objektivi, mos kanë ngatërruar makinën time me ndonjë tjetër.
Kur ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur në datën 1 shtator, ndërsa unë kisha prerë biletën për të ikur më 8 shtator për në Gjermani.

Ju e denoncuat këtë atentat në polici?

Unë nuk vajta në polici, por erdhi policia pas 2­3 ditësh. Unë u tregova i gatshëm të deponoja mbi sulmin që më ishte bërë. Në fakt, unë nuk doja të merrte përmasa mediatike, për shkak se familjarët e mi do të tronditeshin shumë nga kjo dhe në një periudhë të vështirë shëndetësore. Në fakt, edhe mediat nuk u morën shumë me këtë ngjarje. Pas 3­4 ditësh më thirrën, vajta në komisariat, çova dhe makinën, të cilën nuk e kisha prekur fare me dorë që nga dita e atentatit. U bënë këqyrjet dhe pyetjet e nevojshme. Por më bëri përshtypje një gjë. Pas 3­4 ditësh mbërrin policia në biznesin tim me dy furgona, bënë kontroll të imtësishëm banese, më shoqëruan dhe më morën përsëri në pyetje, jo vetëm mua, por edhe njerëzit e mi të afërt, djalin, kushërinjtë e mi që ishin këtu. I shoqëruan në Drejtorinë e Policisë. Në Drejtorinë e Policisë kishte një klimë presioni të madh ndaj meje. M’u duk vetja sikur unë isha atentatori dhe jo personi që ishte goditur me 6 plumba. Një presion shumë i madh në polici. Më mbajtën gjithë natën aty.

Çfarë konkluzioni patën këto hetime?

Jo vetëm nuk pati përfundime të hetimeve, por ata më bënin presion që unë të tregoj se me kë kisha armiqësi, se ndryshe do të më fusnin brenda. Unë i thashë që nuk kam probleme dhe hesape me askënd, as personalisht, as në biznes dhe as ndonjë borxh financiar. Ndërkohë, unë pashë tek ata një presion shumë të madh që të më penalizonin mua nga kjo ngjarje. U shokova nga policia për këtë sjellje të saj.

Pas kësaj ju u larguat në Gjermani?

Po, kam ikur në Gjermani dhe më pas mora vesh se emri im kishte dalë si organizator i vrasjes së Tom Doshit. Këtë vetë Toma ia ka shprehur mikut tim Ymer Lala, duke pasur dyshime të forta tek unë. Ai i tha Ymerit që kam folur me ministrin Tahiri që të organizojmë një ballafaqim me Tonin dhe ta sqarojmë këtë punë. Madje, unë i thashë Ymerit që t’i transmetonte Tomës gatishmërinë time për t’u ballafaquar me burrëri me këdo që ai mendon se më implikon mua në këtë gjë.

A u bë ndonjëherë ky takim ballafaqimi?

Jo, asnjëherë. Madje, unë mora nipin e tij në telefon dhe i kërkova ta takoja, duke i thënë se kam dëgjuar disa fjalë të dala nga Toma që më implikon mua në një grup që kërkon ta vrasë atë. Po, më tha nipi i Tomës, por ne nuk dyshojmë te ti, ne të kemi mik. Ti hajde kur të duash në Shqipëri, më tha ai. Por unë i thashë se s’mund të vija në Shqipëri që të më ngarkohej një akuzë e rreme, se unë do të kisha ballë për ballë shtetin në ato momente, që ishte Tom Doshi, që nga njëra anë sulmonte dhe nga ana tjetër denonconte.

Ka pasur urdhër ndalimi për ju kur keni ikur në Gjermani?

Jo, nuk ka pasur urdhër ndalimi kur unë jam larguar për në Gjermani. Sot, pas shumë muajsh, bëni një lidhje mes atentatit që u bë ndaj jush dhe historisë ku përfshiheni për vrasjen e deputetit? Unë shoh një njeri, ku pas çdo skenë del vetëm emri i tij. Kam dëgjuar dhe kur isha në Gjermani nga goja e analistëve se hidhen dyshime se Tom Doshi ka organizuar atentatin ndaj meje. Unë vrisja mendjen përse. Njeriu duhet të ketë një motiv për të bërë një veprim. Ende jam i shokuar te kjo pjesë. Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Por sot unë kuptoj se kujt i interesonte që unë të isha i vdekur nga atentati, kur shoh videon që më implikon mua si porositësin e atentatit të Tom Doshit. Sepse dihet, i vdekuri merr me vete të gjithë të vërtetën dhe skenari pa porositësin e vrasjes së deputetit do të ishte shumë më i besueshëm.

Çfarë lidhjeje keni ju me grupin e lokalit “Viva” që përmendet në videon e Bamit, ku përfshihet ish-­prokurori i Krimeve të Rënda?

Në lokalin “Viva” ku unë jam ortak, prokurori i Krimeve të Rënda vinte zakonisht me avokatin Fatmir Braka, Eno Bushin e shumë të tjerë. Qëllonte në ndonjë rast që edhe unë të rrija në tavolinë me ta, por jo që të ishte miku im, por ishte mik i miqve të mi, i Yllit, ortakut tim, i avokatëve.

Po me Agim Ramajn, kunatin e ish­kryeministrit Berisha, çfarë ju lidh, kishit miqësi?

Agim Ramajn e njoh si person, por kurrë nuk jam ulur që të diskutoj. Agim Ramaj është mik me ortakun tim në biznesin “Viva”, por nuk jam ulur kurrë në tavolinë që të bisedojmë bashkë. Si prokurori i Krimeve të Rënda, ashtu dhe Agim Ramaj janë persona të shkëlqyer, me CV të admirueshme dhe të suksesshëm në jetën e tyre. Nuk e kuptoj akoma pse i kanë ngatërruar në një histori të tillë të fëlliqur. Nuk e di se çfarë mendjeje ka qenë ajo që ka kurdisur një skenar të tillë.

Sipas Tom Doshit, ju njiheshit nga Monika Kryemadhi si “Toni i Kombinatit”. Çfarë njohjesh keni pasur ju me zonjën Kryemadhi?

Nuk e di se kë ka pyetur Toma, por unë Monika Kryemadhin e njoh vetëm përmes televizionit, nuk i kam dhënë dorën kurrë ndonjëherë.

Keni qenë ndonjëherë shofer i zonjës Kryemadhi, keni qenë pjesë e fushatës apo ndonjë shtabi elektoral?

Asnjëherë. Po ju them se e njoh vetëm përmes televizionit.

Po me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, çfarë njohjesh keni?

As me Ilir Metën nuk kam ndonjë njohje.

Në fushata elektorale jeni përfshirë me LSI­-në?

Në fushata mund ta kem parë, por asnjëherë nuk jam takuar apo të kemi ndenjur bashkë. E njoh si figurë politike. Madje, për të vërtetuar se unë nuk kam njohje me këta persona, i kërkoj Prokurorisë të marrë tabulatet e telefonit dhe të verifikojë nëse kam folur ndonjëherë në jetën time me Monika Kryemadhin apo Ilir Metën.

Është thënë se ju keni qenë shofer i Fatmir Mediut, kryetarit të Partisë Republikane…

Jo. Unë kam punuar te Partia Republikane nga viti 1991 deri në vitin 1993 si shofer i partisë. Më shumë kam lëvizur me të ndjerin Sabri Godo, që ishte kryetar i partisë, me Fatmir Mediun jo. Ai në atë kohë ishte nënkryetar i PR-së.

Gjatë kohës që ju ishit në Gjermani, në media qarkulloi lajmi se deputeti i LSI­së, Spartak Braho, ka ardhur atje dhe ju ka takuar. Jeni takuar me Spartak Brahon në Gjermani?

Në mënyrë kategorike, jo.

Sa e njihni Spartak Brahon?

Nuk e njoh fare, nuk e kam takuar kurrë.

Çfarë keni deponuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?

Më lejoni që të mos nxjerr sekretin hetimor, për të cilin Prokuroria duket se po punon me shumë seriozitet. Unë mund të them se jam i gatshëm sa herë të më kërkohet që të shkoj dhe të them çdo gjë që di për të ndihmuar zbardhjen e të gjithë këtij skenari.

Një tjetër akuzë që bëhet ndaj jush, është dhe një standard i dyfishtë që Prokuroria po ndjek, kur ka ndaluar Durim Bamin ndërsa ju vini në Tiranë nga Gjermania me garanci të plota, madje dhe i shoqëruar me polici…

Nuk është fare e vërtetë. Unë kam ardhur bashkë me gruan time nga Gjermania, kam zbritur në aeroport, kam dalë normalisht, kam marrë një taksi dhe kam shkuar drejt e në shtë­ pi. Nuk kam lajmëruar asnjë atë ditë se po vija. Ardhjen time nuk e ka ditur as nëna ime atë ditë. Të nesërmen, në orën 9:00 kam shkuar në Prokurori. Madje, kur kam dalë, kam ikur me një makinë të vjetër nga Prokuroria. Nuk kam pasur asnjë shoqërim apo eskortë. Edhe këto shpifje janë pjesë e skenarit të përgjithshëm për të më përfshirë edhe mua në këtë histori të turpshme. Ditët e fundit kam dëgjuar edhe për hyrjet e daljet e mia. Hyrjet dhe daljet e mia kanë qenë shumë korrekte dhe unë po them se kam ardhur vetëm kur më ka kërkuar organi i akuzës dhe jam ballafaquar me drejtësinë, e cila kam besim se do ta zbardhë të vërtetën. Në pjesën tjetër nuk e di pse abuzohet me emrin tim dhe cilët janë këta persona dhe partitë politike që duan ta menaxhojnë politikisht këtë histori. Unë dua t’u përgjigjem dhe atyre që thonë se pse unë nuk arrestohem: Kush është i interesuar që unë të arrestohem dhe cila është akuza që është ngritur ndaj meje?! Cilën akuzë kam mbi vete?! Unë këtu jam, në Prokurori jam i gatshëm të shkoj në çdo moment, sa herë të thirrem.

Në videon e tij, Durim Bami tregonte se ka qenë me ju më 21 qershor dhe se ju i keni thënë që të shpërthejë tritolin, por ai ju ka ndaluar se mund të kishte shumë viktima. Mbani mend ku keni qenë më 21 qershor të 2014-­s?

Jo më 21 qershor, por unë nuk kam qenë në makinë me Durim Bamin asnjëherë në jetën time. Durim Bamin mund ta kem takuar ndonjëherë këtu te servisi kur ka ardhur për të ndërruar ndonjë vaj apo ndonjë pjesë për makinën, por kurrë të kem qenë në një makinë me të. Nuk e mbaj mend se ku kam qenë më 21 qershor, por di të them që nuk kam qenë me Durim Bamin dhe me askënd tjetër që më akuzojnë dhe me lidhin me këtë ngjarje.

 

Por me Dritan Priftin keni njohje?

Jo, nuk e njoh dhe nuk jam takuar kurrë.

Dritan Prifi ju ka akuzuar si një njeri me të shkuar të errët. Si është e vërteta?

Është e vërtetë që unë jam dënuar një herë nga gjykata shqiptare për një pasaportë që e kishte një i njohuri im. Unë kam bërë dënimin, për këtë gabim i jam përgjigjur ligjit.

Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ju nuk jeni kthyer sërish në Gjermani?

Jo jo, unë jam këtu, me punët e mia. Nuk kam pse largohem për sa kohë dua të jem në dispozicion të drejtësisë dhe nuk kam pse të fshihem. Personat që duhet të fshihen, janë ata që kanë intriguar këta skenarë, që nuk na i kishin dëgjuar veshët deri më sot. Nuk dua të jem pjesë e objektivit që dikush synon të arrijë për interesa politikë. Të gjithë duhet të kenë durim, siç edhe unë kam durim që të zbardhet nga Prokuroria.

Keni besim te drejtësia për këtë hetim?

Në radhë të parë unë kam besim te vetja dhe kam besim se e vërteta do të dalë në shesh ashtu siç është. Unë pres që kjo histori të zbardhet që unë të rri i qetë me familjen time, së cilës kjo histori i ka sjellë shqetësime. Por në fund të kësaj historie dhe kur të zbardhet e vërteta, bëj pyetjen: A duhet të dalë ndonjë që të më kërkojë falje mua dhe familjes sime për gjithë këtë histori të sajuar, me intriga dhe sekserë që vinin për të bindur që të pranoja variantin e Tomës?!

Ia keni bërë pyetjen vetes përse duhet të vrisnin Tom Doshin?

Dua të theksoj se nuk kam lidhje me asnjë politikan, nuk varem nga askush dhe nuk jam përdorur për interesa politikë apo privatë të askujt. Unë kam parë familjen time, punën time, bizneset e mia. Në jetën time nuk jam ngatërruar asnjëherë me këto puçe dhe intriga. Këtë s’ma lejon as karakteri im dhe as lidhja ime familjare e shoqërore që unë të nisem përmes intrigës t’i bëj dëm dikujt për interesa të dikujt tjetër. Sepse lidhjet unë i kam me njerëz dhe me shokë dhe nuk i kam me politikanë. Unë jam i bindur se kjo është një intrigë që, duke përdorur emrin tim, të krijohen situata të tilla që të çojnë në destabilizimin e vendit. Se unë aty e shoh qëllimin final të gjithë këtij skenari të sëmurë. Kush ka sadopak mend, e kupton se kjo ngjarje nuk ka fare lidhje me Tonin, as me familjen time, kjo ka lidhje me destabilizimin e vendit. Dhe ky është një shqetësim mbarëkombëtar. Dhe nuk di se si mund dhe duhet të përfshihen institucionet e sigurisë kombëtare në vend. Toni si person është shumë i vogël që të hyjë dhe bëhet pjesë e një skenari kaq të zi, por që në fakt më ka sjellë shumë shqetësime. Kjo nuk është as çështje mes Tonit dhe Tomës, por shumë më e madhe se kaq. Kuptohet se kjo është një stisje që synon destabilizimin e vendit dhe këtë ka politikanë të interesuar.

 

(BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: