Nga: KLODIANA LALA*

TIRANE – Fation Skënderi, i akuzuar nga deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi, si ndërmjetësi që kishte kërkuar vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi dëshmoi dje në Prokurorinë për Krime të Rënda në lidhje me çështjen “Doshi”. Skënderi, i cili është përmendur publikisht me emrin Toni, qëndroi për më shumë se 5 orë e gjysmë përballë prokurorëve, duke dhënë shpjegime të detajuara, dhe duke sqaruar kësisoj pozicionin e tij.
Fation Skënderi, sipas akuzave të bëra nga Tom Doshi, i kishte kërkuar Durim Bamit që ta vriste deputetin dhe se porosia këmbëngul ligjvënësi socialist ishte dhënë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Por, përkundër nga sa pretendon deputeti Doshi, Fation Skënderi, i njohur ndryshe si “Toni i servisit”, u tha hetuesve, se e njeh Durim Bamin, por nuk ka miqësi të ngushtë me të dhe se asnjëherë nuk ka folur për një histori të tillë, siç është një skenar i mundshëm për vrasje deputetësh. Njeriu kyç në dosjen “Doshi”, ka shpjeguar në vijim, se nuk ka njohje direkte me kreun e Kuvendit Ilir Meta, sikurse nuk ka miqësi me Tom Doshin. Ai ka pranuar se ka njohje me një prej nipave të Tom Doshit, por asgjë nuk e lidh me një komplot të mundshëm për vrasje. Mandej, në dëshminë maratonë të dhënë përpara dy prokurorëve, Manjola Kajana dhe Përparim Kulluri, Fation Skënderi, ka shpjeguar dhe arsyet përse gjashtë muaj më parë vendosi të largohej nga Shqipëria.
“Në shtator 2014, më është bërë atentat në dalje të Tiranës. Duke u ndjerë i rrezikuar për jetën time dhe të familjes vendosa të largohesha”, u ka thënë Skënderi pjesëtarëve të grupit hetimor, të cilët i kanë drejtuar atij dhjetëra pyetje lidhur me çështjen.
Ai ka thënë gjithashtu se është i gatshëm të ballafaqohet me Durim Bamin, i cili e implikon dhe akuzon për një krim të rëndë, siç është ndërmjetësimi për vrasjen e dy deputetëve, Doshi e Fufi. Ndaj, prokurorët me shumë gjasë do të bëjnë një ballafaqim mes Fation Skënderit dhe Durim Bamit, për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve të bëra nga secili prej tyre. Në fakt, lidhur me detajet e dëshmisë së Skënderit, prokurorët janë treguar shumë të rezervuar, ndërsa vetë ai nuk ka preferuar të flasë për mediat. Fation Skënderi, i dënuar më herët për trafik droge nga Gjykata për Krime të Rënda, u kthye të martën nga Gjermania, për të dhënë dëshminë e tij. Ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se policia po mban në vëzhgim Skënderin, për t’i garantuar kësisoj edhe jetën, pasi rezulton nga kartelat e policisë se ai i ka shpëtuar një atentati në vjeshtë, çështje për të cilën është regjistruar edhe një procedim penal. Në fakt, në të njëjtën kohë që Skënderi po jepte dëshminë, një tjetër personazh i përfolur nga deputeti Doshi, i është përgjigjur fletëthirrjes. Ylli Xhaxhollari, pronari i lokalit “Viva”, ku sipas Doshit, është vendi ku është thurur komploti për vrasjen e tij, u tha prokurorëve se nuk ka asnjë lidhje me një ngjarje të tillë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: