Dukej e pa mundur që dikush të ndalte Arsenal në këtë pikë të sezonit, por djemtë e Artetas pësojnë një frenim në javën e 12-të, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 në transfertë përballë Southampton. Ky ishte X-si i parë në këtë sezon për “topçinjtë”.

Granit Xhaka bën edhe një herë protagonistin, pas Europa League, realizon një gol thuajse identik edhe përballë “shenjtorëve”, duke kaluar Arsenal në avantazh në minutën e 11-të. Me fillimin e pjesës së dytë, Armstrong barazoi shifrat në 1-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Pavarësisht pikëve të lëna, Arsenal vijon të qëndrojë i vetëm në krye në kuotën e 28-të pikëve, dy më shumë se Man.City.

Tottenham e ka të vështirë të reagojë, pas humbjes së pësuar kundër Man.United, “gjelat” bien sërish, këtë herë në shtëpi përballë Newcastle. “Qymyrxhinjtë” realizuan dy gola brenda pjesës së parë, ndërsa goli i Harry Kane me fillimin e pjesës së dytë vetëm sa hapi ndeshjen, por pa mundur të shmang humbjen e dytë radhazi. Antonio Conte nuk përpiqet të gjejë alibi pas kësaj humbje, por në konferencë për shtyp i lëshoi një mesazh të qartë stafit drejtues:

“Kur zbret në fushë çdo tre ditë duhet të kesh në dispozicion një grup të plotë, pasi dëmtimet janë të pashmangshme. Të mos kesh në fushë 3-4 titullarë për një skuadër si ne janë shumë. Nëse dikush nuk dëshiron ta kuptojë këtë atëherë nuk është problem i imi”, u shpreh Conte.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb