Erling Haaland, sulmuesi i Manchester City është një nga futbollistët më të fortë në botë. Në një intervistë për “GQ Magazine”, ai ka shpalosur objektivat e tij. Bomberi norvegjez theksoi se objektivi i tij kryesor me Manchester Cityn është të triumfojë në Champions League.

“Do të mundohem të bëj gjithçka për të fituar trofe me Manchester Cityn dhe të ndryshoj situatat në favorin tim. Nëse plani shkon sipas parashikimit, dua të fitoj Champions League me Manchester City, ky është objektivi im.

Kombëtarja? Përfaqësuesja është e një vendi të vogël me 5.5 milionë banorë. Rrjedhimisht nuk jemi shumë të favorizuar ndaj të tjerëve, megjithatë unë në Kupën e Botës kam parë që kualifikohen edhe kombëtare të vogla, madje të afta për të bërë paraqitje të mëdha.

Kualifikimi në Kupën e Botës së vitit 2026 është një objektiv për Norvegjinë dhe shpresoj që një ditë të shijoj ndeshje të Botërorit me fanellën e kombëtares sime” – u shpreh Haaland, duke zbuluar dy objektivat e tij, një i afërt dhe një më i largët.

Gjithashtu Haaland foli edhe për Topin e Artë: “Mendoj se është një çmim që iu intereson të gjithëve, por nuk të ndihmon nëse e mendon shumë. Nëse luan mirë së bashku me skuadrën, atëherë do të përfshihesh edhe në garën për Topin e Artë. Kështu ndodhi edhe me De Bryune që me meritë u rendit i treti. Por, e përsëris nuk është mirë të fiksohesh pas këtij çmimi” – përfundoi sulmuesi norvegjez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb