Edhe pse vendimi i Sekretarit Antony Blinken për Sali Berishën nuk e nderoi imazhin e Shqipërisë, ai gjithësesi i dha “vulën” e merituar një politikani që me qeverisjen e tij e ka minuar si askush tjetër në këto 30 vite pluralizëm, demokracinë në vend. 

Mendoj se arsyet për ta analizuar ende këtë personazh të “pagdhendshëm”, kanë shteruar të gjitha. Ai i përket tashmë një pjese jokrenare të Shqipërisë, edhe si një i damkosur i përjetshëm nga shteti më i fuqishëm i botës dhe aleati më kryesor i shqiptarëve. 

Paçka se ka zgjedhur të vazhdojë betejën me “mullinjtë e erës”, madje duke na u ofruar njëkohësisht edhe si një politikan “suedez”, besoj se në fund të këtij “dueli” do të fitojë SHBA. 

Në pamje të parë duket sikur stoicizmi kokëfortë me qëndrimin për të mos u tërhequr nga rrokullisja e tij e pakthyeshme që rrezikon edhe vetë opozitën, ka lidhje me mospranimin e “diktatit amerikan”. Ose me “misionin e tij parimor” në mbrojtje të interesit kombëtar dhe lirive të të drejtave të njeriut. Sikur të kishte qënë vërtet i tillë misioni i tij ndër vite, Shqipëria nuk do kishte përjetuar aq shumë ngjarje regresive.  

Në leximin tim, dalja publike e radhës e Berishës, pa sjellë asnjë risi ka lidhje vetëm me mesazhet që ai ka dashur t’i përcjellë edhe publikisht, Lulzim Bashës.  

Këtij të fundit i vendosi “kufirin të thana”, që as të mos e shkojë nëpër mend ta leshojë fatin e tij në këmbim të fatit të gjithë opozitës.  

Si qytetar që më intereson bashkëjetesa produktive mes palëve në jetën politike e parlementare të vendit tim, nxitem t’i drejtoj disa pyetje kryetarit të opozitës shqiptare, edhe pse e dyshoj se ai do mundet ndonjëherë t’iu kthejë përgjigje, aq më shumë t’i marrë edhe si vendime. 

E para, cili është synimi kryesor i Partisë Demokratike? 

A do i cënojë SHBA interesat e shqiptarëve dhe demokracinë siç la të nënkuptohet Berisha? 

A mendoni edhe ju njësoj, se znj. Ambasadore bën politika individuale (guvernatore) dhe nuk përcjell qëndrime zyrtare të Departamentit të Shtetit? 

Kush ju intereson më shumë, perspektiva e marrëdhënies PD-SHBA apo marrëdhënia e semurë Berisha-PD? 

Nëse ju intereson e para, a do merrni ju një vendim si lider për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar me arsyen e shpalljes “non-grata”? 

Dhe nëse ju intereson marrëdhënia e dytë, a mendoni ju se jeni rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike për të njëhësuar fatin e saj me fatin e pashpresë të tij? 

Unë mendoj se publiku shqiptar dhe ai i huaj pret nga ju të deklaroni qëndrimin tuaj zyrtar dhe atë të Partisë Demokratike lidhur më çështjen në fjalë. Pasi siç e shprehu edhe Zonja Kim në letrën e saj, SHBA shpreson që si mazhoranca ashtu edhe opozita, të jenë një partner për SHBA e jo një problem.  

Ndaj, në këto ditë shumë të nxehta gushti teksa pushoni për të projektuar aksionin tuaj opozitar, mendoni edhe se në cilën portë do ta gjuani “topin” në shtator.  

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb